Berisha takim me banorë në Klos: Do të ndërtoj rrugën e Xibrit, lidh Matin me Tiranën
Kryetari i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me banorë të Klosit.
Gjatë këtij bashkëbisedimi kryetari i PD, Sali Berisha, prezantoi edhe programin e koalicionit Partia Demokratike – Aleanca Shqipërinë Madhështore.
Berisha premtoi se do të ndërtojë rrugën e Xibrit, e cila do të lidhë Matin me Tiranën edhe nëpërmjet Xibrit.
“Burreli do të ketë rrugën e Xibrit. Unë nuk e harroj, unë e kam premtuar rrugën e Xibrit, dhe rrugën e Xibrit do ta bëj dhe do e lidh Matin me Tiranën edhe nëpërmjet Xibrit. Se edhe rrugën Krujë-Tiranë, do ta ndërtojmë. E shkurton shumë dhe Mat-Xibër-Tiranë shkurtohet edhe më shumë se kjo tjetra pastaj”, tha Berisha.
Berisha tha po ashtu se Rruga e Arbrit do të jetë pa taksa.
“Ne ndërtuam 32 kilometra në Rrugën e Arbrit dhe mbetën 27, ato nuk mund të lihen të papërfunduara. Dhe e lamë gati. Paratë dhe kontratën. E prishi kontratën. Tani bëri zhbëri një gjë, dua t’u them banorëve të këtij qarku, që ajo rrugë, e cila në kontratë është për t’u vendosur taksa, nuk do vendos taksë kurrë në atë në rrugë. Dhe ju duhet që do të qarkulloni pa asnjë taksë, sikundër ju, sikundër të gjithë, se ka vënë dy taksa. Për të ardhur tjetri nga Tropoja, duhet të paguajë një taksë në Kalimash dhe një taksë tek Ura e Limuthit. Dy taksa, por nuk janë pak. Se janë 7 euro së bashku, dhe po të jetë kamion është 40 euro, është 50 euro, është qamet. Këto do të hiqen në mënyrë përfundimtare”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “pas 11 majit investimet në infrastrukturë do të shumëfishohen”.
“Data 11 nuk është një datë e demokratëve, është një datë e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë atyre që e duan këtë vend, që besojnë se ky vend nuk është Sahara, por besojnë se kjo është një tokë e bekuar, me pasuri shumë të mëdha, me prodhime të shkëlqyera”, tha Berisha.
Fraksion.com