As përpjekja e 12-të s’e zhbllokon ngërçin në Kuvend, Limaj: Nëse kemi ftesë nga Abdixhiku, i përgjigjemi
Deputetët dështuan edhe në përpjekjen e 12-të për ta konstituuar Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ajo shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.
Seanca dështoi për herë të 12-të sepse nuk u votua një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentar.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Limaj: Nëse kemi ftesë nga Abdixhiku, i përgjigjemi
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se partia e tij parapëlqen qeveri të shumicës dhe se është e gatshme t’i përgjigjet ftesës së liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Nëse kemi ftesë ne do të përgjigjemi për të shkuar dhe për ta dëgjuar. Ideja ime është një qeveri e shumicës”, tha Limaj.
Limaj – partia e të cilit ka 3 ulëse në Kuvend – tha se Kosova ka nevojë për qeveri të shumicës dhe se “kjo mund të ndodhë sepse ka potencial” për formimin e saj.
Abdixhiku ka propozuar qeveri tranzitore që do të përfshinte të gjitha partitë parlament.
Krasniqi: Jam i gatshëm të komunikoj me të gjithë
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se ai është i gatshëm të komunikojë “me të gjithë” për të gjetur një zgjidhje, si përgjigje në pyetjet për propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që partitë politike shqiptare të bashkëpunojnë për qeveri tranzicioni.
Megjithatë, ai tha se qëndrimin zyrtar të partisë do të mund ta japë vetëm pasi të mbahet sot, në orën 15:00, një takim i kryesisë së PDK-së.
Ai shtoi se zgjidhja e vetme për zhbllokimin e procesit të konsituimit të Kuvendit të Kosovës është ndërrimi i kandidates së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiut, për postin e kryeparlamentares.
“Kandidatja ka dështuar dhe do të dështojë sa herë që vjen [si propozim] në Kuvend”, tha Krasniqi.
Ndërpritet seanca, për të vazhduar më 9 maj
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën për herë të 12-të të mërkurën, dhe njoftoi se ajo do të vazhdojë pas dy ditëve.
Seanca dështoi përsëri pasi propozimi i kryesuesit, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori vota të mjaftueshme për të formuar një komision për votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit./REL
Fraksion.com