Rama thirrje emigrantëve: Mos përtoni, por dërgojini zarfet në pikat përkatëse, mos prisni DHL
Kryeministri dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar pas takimit përmbyllës elektoral që zhvilloi në qytetin e Kavajës.
Përmes një video të postuar në rrjetet sociale, ai vlerësoi atmosferën në qytet si jashtëzakonisht pozitive dhe përplot energji, ndërsa bëri edhe një apel të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi lidhur me procesin e votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Kreu i qeverisë nuk ngurroi të kritikojë qeverisjet e mëparshme, duke deklaruar se Tropoja dhe Kavaja kanë qenë ndër zonat më të neglizhuara.
“Dy janë pikat më të pa investuara, totalisht të lëna pas dore nga qeverisja e bufit: Tropoja dhe Kavaja. Kjo ka një shpjegim të hidhur, por për një herë tjetër,” u shpreh ai.
Në video-mesazhin, Rama u ndal edhe te votimi i shqiptarëve në emigracion, me fokus të veçantë te procesi në Greqi.
Ai tha se është vërejtur përmirësim në numrin e zarfeve të kthyer nga diaspora, por theksoi se angazhimi i qytetarëve është vendimtar për suksesin e këtij procesi.
“Mos prisni që t’ju vijë DHL t’ju marrë zarfat, por kthejini në pikën përkatëse. Është pak mundim, por ja vlen për atë që do të ndërtojmë së bashku,” tha Rama, duke i ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Në përmbyllje, ai theksoi rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se e ardhmja e përbashkët e shqiptarëve është në BE. “Shqipëria është atdheu ynë, do të mbetet gjithmonë atdheu ynë, por vendi ynë do të jetë i gjithë Bashkimi Europian,” përfundoi ai, duke njoftuar se ndalesa e radhës do të jetë në Elbasan.
Fraksion.,com