Rama-shqiptarëve në Greqi: Dërgoni votën me zarf, më 11 maj afirmim i përkatësisë sonë evropiane
Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur live pyetjeve të adresuara në platformat sociale.
Në rubrikën “Sy’ m’sy”, Rama iu drejtua shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe i ftoi që të nisin votën me zarf në KQZ.
“Sot dua ta nis me shqiptarët e Greqisë me ata që janë regjistruar në zgjedhjet e 11 majit dhe që ende nuk e kanë dërguar zarfin. Ju lutem shumë është shumë shumë e rëndësishme ҫka do të vendosni në 11 maj. Është shumë e rëndësishme ҫka të gjithë së bashku do të mbjellim më 11 maj, për të korrur më në fund atë që e presim prej dekadash dhe prej shekujsh, afirmimin e përkatësisë sonë evropiane dhe ndryshimin e statusit tonë si vend, si popull, si individ këtu në mes të Evropës, ku me vendimin e 11 majit, me fuqinë e 11 majit, me mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE nuk do të jemi më thjesht evropianë me zakon, por edhe evropianë me ligj. Nuk do të jemi më evropianë të huaj për Evropën, por do të jemi evropianë të barabartë në Evropë”, u shpreh Rama.
Pa diskutim, shtoi Rama, “që për 1001 arsye kjo vlen në nivelin kombëtar, vlen në nivelin lokal, vlen në nivelin familjar, vlen në nivelin personal”.
“Me anëtarësimin në BE ne do të kemi një Shqipëri të re. Dhe ne shqiptarët do të kemi një shtëpi të re, shtëpinë e Evropës së bashkuar”, tha Rama.
“Dhe për ju që jeni në Greqi do të vijë, si për gjithë ne, po për ju do të vijë një pasaportë e re, pasaporta e qytetarit evropian me liri dhe të drejta të barabarta, një pasaportë kuqezi që do të jetë e barasvlershme me pasaportën bardh e blu në shtetin fqinj dhe mik. Vota për ata që janë regjistruar është një mund jashtëzakonisht i vogël, por ama është edhe një kontribut jashtëzakonisht i madh”, vijoi Rama.
“Kështu që ju lutem pavarësisht vështirësive që ju krijuan me kompaninë. Kompania e madhe globale DHL-ja në ditët e para pati vështirësi, pati ngecje, tani janë shpërndarë mbi 90% e zarfeve. Në ishuj mbaron sot mundësia për të dërguar votën. Në gadishull ka akoma disa ditë, por mos e lini për në minutën e fundit. Hapeni zarfin, vini shënimin tek numri 5 dhe dërgojeni mbrapa për 11 majin e Shqipërisë evropiane”, përfundoi Rama.
Fraksion.com