Kryeministri rumun jep dorëheqjen
“Ne pamë se si votuan rumunët dje, gjë që do të thotë se koalicioni në pushtet nuk ka legjitimitet, të paktën në këtë konfigurim,” u tha ai gazetarëve pas një takimi të Partisë së tij Social Demokrate.Kandidati i koalicionit në pushtet, Crin Antonescu, mori 20.3 % të votave të dhëna.
Udhëheqësi populist i ekstremit të djathtë, George Simion mori shumicën e votave, me 40.5 %, në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, një përsëritje e zgjedhjeve fillestare të vitit e kaluar. Ai do të përballet me raundin e dytë, i cili do të mbahet më 18 maj, me kryebashkiakun e Bukureshtit, Nicusor Dan, mbështetës i BE, i cili mori 20.9 % të votave.
Kriza politike po përkeqësohet në Rumani
Ciolacu gjithashtu e shtyu partinë e tij Social Demokratike ta braktisë Koalicionin e Fuqisë. Social Demokratët kishin formuar një qeveri koalicioni me centristët liberalë dhe UDMR, një parti etnike hungareze, me qëllim të mbajtjes së vendit anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në një rrugë properëndimore. Pa këtë parti, një shumicë qeveritare mund të formohet vetëm me mbështetjen e së djathtës ekstreme brenda parlamentit.
“Ky koalicion nuk është më i ligjshëm,” u tha Ciolacu gazetarëve. “Presidenti tjetër do të më zëvendësonte gjithsesi, kjo është ajo që kuptova.”

Simion, aleat i Trumpit, kundërshton ndihmën ndaj Ukrainës
Zgjedhjet fillestare presidenciale vitin e kaluar u anuluan për shkak të shqetësimeve të përgjithshme për ndërhyrjen e Rusisë në favor të Calin Georgescut të djathtë, i cili ishte objekt i një hetimi dhe i cili e kishte të ndaluar të kandidonte në zgjedhje.
Aleat me Georgescun, Simioni, 38 vjeç, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën fqinje dhe kritikon drejtuesit e Bashkimit Evropian.
Simion thotë se ai është në harmoni me lëvizjen “Make America great again” të presidentit amerikan Donald Trump dhe duket se përfiton nga një valë e ngjashme zemërimi popullor në Rumani, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se anulimi i zgjedhjeve të vitit të kaluar tregoi se Rumania nuk ndau vlerat amerikane, ndërsa Elon Musk e quajti presidentin e Gjykatës Supreme të vendit “tiran”.
Me rreth 19 milion banorë, Rumania është vendi më i populluar i Evropës Juglindore. Një fitore e Simionit në raundin e dytë të 18 majit do të rrisë numrin e liderëve euroskeptikë në BE, ku tashmë përfshihen Viktor Orban në Hungari dhe Robert Fico në Sllovaki./DW
Fraksion.com