“Ju ftoj të ndaheni nga e keqja e madhe”, Berisha nga Berati: Lajmet në Shqipëri, më të zymtat nga vendet që nuk janë në luftë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte sot në takimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Beratit, ku përcolli mesazhin se 11 Maji është për t’u ndarë nga e keqja e madhe e 12 viteve të fundit.
Berisha tha ndër të tjera se në Shqipëri janë lajmet më të zymta nga të gjitha vendet që nuk janë në luftë, ku ka më tepër vdekje se lindje.
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Beratit, Kuçovë, Skraparit, Dimalit, të të gjithë këtij qarku, në këtë shesh, kudo që jeni në Berat, në Shqipëri dhe në diasporë.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen tuaj, për energjinë, entuziazmin, optimizmin që ju i dhatë kësaj fushate.
Për shpresën që mbollët çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë anembanë Beratit.
Për optimizmin tuaj, besimin e madh tek fitorja e thellë e 11 Majit, fitorja juaj, fitorja e çdo qytetari shqiptar, fitorja e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.
I dashur zofi Filip Grifin, mik i shquar i PD, përfaqësues i kryestrategut të fitores më të madhe, më të jashtëzakonshme në historinë elektorale të botës, Chris LaCivita, fitores së presidentit Donald Trump.
I dashur zoti Eno Bozdo, udhëheqës politik i PD dhe ASHM për qarkun e Beratit.
Të dashur kryetarë të degëve të PD.
Të nderuar kandidate dhe kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë të qarkut të Beratit, përfaqësues dinjitozë të qytetarëve të këtij qarku, krenari e vërtetë për PD, por krenari edhe për Beratin dhe Shqipërinë.
Miqtë e mi, e diela është nesër.
Në duart tona është më afër se kurrë, më e sigurt se kurrë, fitorja e shumëpritur, fitorja e merituar. Fitorja e çdo opozitari dhe çdo shqiptari që ndjen në dejet e tij gjak shqiptari.
Me 11 Maj qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë ftohen në vendimin e tyre historik, në vendimin e tyre ndoshta vendimin më të rëndësishëm të jetës së tyre, për t’u ndarë me një të keqe të madhe, që në mënyrën më të pamerituar i varfëroi ata nga viti në vit, 12 vite me radhë.
Që në mënyrën më të pamerituar dhe jashtë çdo imagjinate, la klasat e shkollave tona pa nxënës. Shtëpitë pa fëmijë, djepet bosh, të moshuarit në vetmi të thellë dhe të frikshme.
Asnjë shqiptar, kurrë nuk mund të imagjinonte një Shqipëri të tillë në vite lirie. Po kjo Shqipëri sot është një realitet.
Është një realitet, sirenat e të cilit bien për çdo shqiptar, ta shpëtojmë këtë vend, ta ndalim këtë të keqe me vetëdijen tonë, me përgjegjësinë tonë, me atdhetarinë tonë si shqiptarë.
Miq, vetëm javët e fundit po të marrësh lajmet janë aq të trishta, aq të zymta për ne si komb, më të zymta se për çdo komb tjetër që nuk është në luftë.
Njoftohet se ne sot kemi lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.
Njoftohet se ne, prej kaq vitesh, kemi shumë më tepër vdekje se sa lindje.
Dje isha në Mat, një rreth i madh, jo i vogël, një rreth me pasuri përrallore, 13 lindje kishte pasur në një vit.
Imagjinoni. Kjo kudo. Një boshatisje. Një zbrazje.
Ndaj dhe 11 Maji nuk është një ditë për partitë, është një ditë për çdo qytetar që pranon përgjegjësinë që ka ndaj vetes së tij, familjes së tij, ndaj Berastit dhe Shqipërisë.
Pra pranon përgjegjësinë qytetare, pranon përgjegjësinë kombëtare.
Kështu që unë kam besimin më të madh se shqiptarët presin me padurim këtë ditë për të qenë në lartësinë, në orën e mençurisë së tyre, në orën e dashurisë së tyre për familjen, për Beratin dhe kombin.
Në orën e përgjegjësisë së tyre para atyre që nuk janë dhe atyre që do jenë, për të përmbushur detyrimet tona.
Miq, Tomasi ishte këtu në këtë platformë zëri i të rinjve shqiptarë, nga të cilët këto 10 vite, 620 mijë, me statistikën evropiane, kanë ikur vetëm në vendet evropiane.
Pra, shtrohet një alternativë shumë e rëndë para nesh: do kemi ne si komb rini apo do mbetemi krejtësisht pa rini.
Kjo në fakt është alternativa të jesh apo të mos jesh.
Kjo në fakt është alternativa para të cilës kombi nuk ka qenë ndonjëherë në të gjithë ekzistencën e tij.
Por unë besoj se të gjithë ne, se shqiptarët kësaj alternative do i përgjigjen me një besim të fuqishëm te Shqipëria dhe te ardhmja.
Unë dua të siguroj Tomasin se qëllimi më madhor i programit të PD, i programit të opozitës shqiptare, është të sjellë kombin në rininë e tij. Të sjellë kombin shqiptar në moshën e rinisë.
Dhe kjo në njëfarë mënyre duke parë realitetin, të duket se është njëlloj si të shpallësh se do kalosh detin në këmbë.
Por jo, nuk është ashtu.
Ju i shihni sheshet mbushen. Ju e shihni se energjia, entuziazmi shpërthen në katër anët.
Kjo është shpresa e pashuar e shqiptarëve se kombit do rikthehet në rininë e vet, se kombi do kthehet në të ardhmen e vet.
Ndaj dhe unë këtu nga Berati shpall zotimin solemn të Aleancës për Shqipërinë Madhështore se sistemi arsimor i Shqipërisë do jetë sistemi më modern, sistemi që punëson.
Shkollat dhe universitetet do funksionojnë në partneritet të plotë me ndërmarrjet publike dhe private.
Kjo do të thotë se çdo universitet, publik apo privat, do lidhë marrëveshje me kompani për të ofruar praktikë të integruar në program dhe do përfitojë mbështetje për të gjithë praktikën që do ofrojë për studentët dhe të diplomuarit që ndjekin këto praktika.
Miq, 100 ditët e para do shpallim paktin kombëtar me rininë dhe për rininë.
Ky pakt do garantojë çdo të diplomuar brenda një viti punësim në sektorin publik apo privat.
Ky pakt nënkupton krijimin e zyrave të karrierës në të gjitha universitetet me qëllim orientimin dhe punësimin e tyre në ndërmarrje publike dhe private.
Startup Albania, rinia në sipërmarrje, do jetë shtyllë e këtij pakti. Një fond fillimisht me 10 milionë euro për të financuar startupet e çdo të riu. Për të financuar projektet e çdo studenti, ëndrrat e tij.
5 mijë euro grant për çdo të ri që projekton për të nisur një biznes në Shqipëri.
Grantet nga fondi kombëtar do të përdoren për startupet teknologjike, sociale, por edhe për fermerët e rinj që duan të zhvillojnë fermat e tyre.
Inkubatorë rajonalë në çdo qendër të madhe për t’u afruar biznesmenëve të rinj të gjitha lehtësirat për bizneset e tyre.
Punëdhënësi që do punësojë të rinjtë do ketë një ulje 70 përqind me taksa. Po!
Shqiptarët duhet ta kuptojnë se të rinjtë janë bërë si ujët e pakët për ne. Ne do bëjmë gjithçka që ata të rrijnë, të ndërtojnë foletë e tyre, të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Të gjitha këto, 5 vite pa asnjë taksë kur të vendosin të kthehen në vendin e tyre.
Kombi në rininë e tij vjen vetëm kur ne të marrim çdo masë që të rinjtë të kenë çdo hapësirë për ëndrrat e tyre këtu në Shqipëri.
I garantoj se kuotat në raport me grupmoshën do jenë operative si në politikë, si në çdo fushë tjetër.
Të rinjtë do jenë promotorët kryesorë të Shqipërisë së teknologjisë së lartë, inteligjencës artificiale, të kriptomonedhave, të dataqendrave.
Debat intensiv me influencerë dhe TikTok do të nxitet në mbarë vendin.
Fjala e tyre, vendimet për të rinjtë do merren vetëm me pëlqimin e tyre.
Kombi duhet të ndryshojë tërësisht qëndrimin ndaj të rinjve, në mënyrë që ata të mbeten këtu në Berat, të mbeten në Shqipëri.
Çdo çift i ri do ketë një grant 30 mijë euro, me të cilin ai do paguajë interesat e kredisë për çdo fëmijë.
Për fëmijën e parë 70 euro bonus.
Për fëmijën e dytë 60 euro.
Për fëmijën e tretë, nga lindja gjer 23 vjeç, çdo shpenzim do merret përsipër nga shteti. Për fëmijën e katërt e njëjta gjë.
Shkollat tetëorëshe. Shkollat me ushqim. Shkollat me teknologjinë më të lartë.
Mësuesit nuk do kenë rrogë nën 1500 euro.
Askush nuk duhet të harrojë se zemra dhe shpirti i një kombi janë rinia, ndaj dhe ne jemi të vendosur të ndahemi nga kjo periudhë që na i largoi të rinjtë nga vendi si asgjë tjetër në historinë tonë kombëtare.
Unë garantoj qytetarët e Beratit se nuk jam sot këtu për karrierën time politike. Jo. Të jem shumë i sinqertë me ju.
Unë i kam bërë karrierat e mia.
Por unë jam këtu në një mision sepse unë jam njëri nga ju që i qan shpirti dhe zemra kur shoh klasa pa fëmijë, kur shoh të moshuarit në vetmi të madhe dhe pasiguri të plotë, kur shoh pensionistët që kanë shkrirë jetën për Beratin dhe Shqipërinë dhe numërojnë kafshatat.
Nuk mund të pajtohem me këtë unë kurrë.
Kur fermat që falimentojnë njëra pas tjetrës dhe shoh pasuritë përrallore që ka Berati, që ka Shqipëria dhe shoh që ato plaçkiten në mënyrën më të pamëshirë nga një grup qeveritarësh vendorë dhe qendrorë që nuk kanë të ngopur.
Që ndajnë pasuritë tuaja njëri me tjetrin.
Që zhdukin qindra e qindra milionë euro.
Fraksion.com