AktualitetPolitikëTë fundit

Shoqata e të Verbërve reagon ndaj deklaratave të Ramës për personat me aftësi të kufizuara: Të kërkojë falje, të angazhohet për respektimin e të drejtave tona

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj deklaratave fyese të bëra nga Kryeministri Edi Rama gjatë një aktiviteti elektoral në Lezhë, ku ai përdori gjuhë që konsiderohet thellësisht diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara.

Në një deklaratë publike, SHVSH shpreh indinjatën e saj për gjuhën e përdorur, të cilën e cilëson si poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe barazinë e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa e OKB-së. Shoqata i kërkon Kryeministrit ndjesë të menjëhershme dhe angazhim konkret për respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të këtij komuniteti, duke theksuar se personat me aftësi të kufizuara nuk janë figura stilistike për retorikë politike, por qytetarë të barabartë të vendit.

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë reagon me indinjatë ndaj fyerjeve publike të Kryeministrit ndaj personave me aftësi të kufizuara

Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë (SHVSH), si përfaqësuesja legjitime e mbi 13,500 qytetarëve të verbër dhe me dëmtime të rënda të shikimit në vend, shpreh keqardhje dhe indinjatë të thellë për përdorimin e gjuhës diskriminuese dhe poshtëruese nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, në një aktivitet elektoral të zhvilluar në Lezhë.

 

Në këtë deklaratë ai u shpreh si më poshtë:

 

Kjo nuk është hera e parë që z. Rama përdor fjalor fyese ndaj grupeve të ndjeshme. Vetëm pak ditë më parë, ai etiketoi në mënyrë të papranueshme personat me çrregullime të spektrit autik, duke vazhduar kështu një model komunikimi përçmues, që thellon paragjykimet shoqërore dhe cenon dinjitetin e mijëra qytetarëve shqiptarë.

SHVSH i bën thirrje publike Kryeministrit:

  • Të kërkojë ndjesë publike, pa vonesë, ndaj komuniteteve që ka ofenduar.
  • Të angazhohet realisht për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke filluar nga gjuha e përdorur në hapësirën publike.
  • Të rikthejë dinjitetin institucional në komunikimin me qytetarët e tij, veçanërisht ata që jetojnë çdo ditë me sfida të mëdha shëndetësore dhe sociale.

Ne nuk jemi metafora, nuk jemi figura stilistike për përdorim në fjalime politike. Ne jemi qytetarë të barabartë të këtij vendi. Dhe do të ngremë zërin për çdo akt, fjalë apo qëndrim që synon të na fyejë, të na përjashtojë ose të na instrumentalizojë.

Me respekt,

SHOQATA E TË VERBËRVE TË SHQIPËRISË

 

Fraksion.com