AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Të gjitha sondazhet thonë që fiton PS

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Në rubrikën “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur një qytetari Rama u shpreh se, të gjitha sondazhet thonë që fiton PS.

“Unë kam rekordin e kilometrave të bëra nëpër Shqipëri, jo në krahasim me ndonjë paraardhës tjetër, por me të gjithë të marrë së bashku”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “nuk i kam bërë ato udhëtimet nëpër Shqipëri dhe takimet me njerëzit në internet i kam bërë në realitet, nuk i kam bërë me Play-station. Nëse jam këtu dhe përdor këtë mjet për të komunikuar e bëj dhe për një arsye tjetër. Arsyeja është se shumë nga gjërat që unë bëj dhe që ne bëjmë, shumë nga gjërat që ndodhin në Shqipërinë reale nuk i merr vesh dot as ti dhe askush tjetër nga pasqyrat e kënetës, pasqyrat mediatike të kënetës”.

“Ta ka thënë ndonjëherë ty ndonjë pasqyrë e kënetës mediatike që Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë është rritur me 2 herë e gjysmë, nga më pak se 10 miliardë në 25 miliardë, në dekadën e fundit? Jo! Po nga do ta marrësh vesh nëse nuk përpiqem unë dhe nuk përpiqemi ne të paktën me këto mjete që kemi?!”, iu drejtua Rama qytetarit.

“Se i ke parë pasqyrat besoj, çfarë mund të mësojë njeriu kur hap ekranet edhe ndjek ato farë debatesh? Çfarë mund të mësoj njeriu kur në ato ekrane shfaqen sondazhe të ndryshme, që nga sondazhisti i Donald Trumpit, i famshëm, deri tek sondazhistë të tjerë këtu në Evropë, të gjithë thonë fiton Partia Socialiste, ndërkohë që ata që janë aty për t’i komentuar sondazhet thonë që “epo nëse këto janë të vërteta populli shqiptar është i sëmurë””, tha Rama.

“Çfarë mund të marrësh vesh nga këta çyrykë? Sepse janë tamam çyrykë. T’i thuash popullit që populli është i sëmurë, nuk je mirë. Ose që populli është çmendur! Është e thënë kështu si po jua them, do të thotë, këto sondazhe do të thonë që populli është çmendur. Po pse është çmendur populli? Është çmendur se voton të vetmen alternativë konkrete, reale, fituese, progresiste, transformuese, integruese? Se voton të vetmen forcë që mund ta fusë në BE, prandaj është çmendur populli?”, theksoi Rama.

“Ose thonë: “popullin e ka blerë Rama”, këta, të tërin. Domethënë 800 mijë votues, edhe sa do të shtohen këtë herë dhe nga diaspora, i kam blerë unë! Ose qenka një frikë aq e madhe e përhapur nëpër popull saqë kanë frikë të bëjnë gjë tjetër veçse të votojnë? A e kupton. Atëherë ku do i marrësh vesh të gjitha gjërat që ne kemi bërë? Ku? Nëse unë mbyll Facebook-un, fik internetin edhe vazhdoj të merrem, siç thua ti, me hallet e popullit. Edhe ky është një hall i madh i popullit: Informimi me fakte”, theksoi Rama.

Fraksion.com