AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Shqipëria me rritjen më të madhe në rajon të PBB-së dekadën e fundit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka rritjen më të madhe në rajon të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në një komunikim të drejtpërdrejtë me ndjekës në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’Sy”, Rama foli mbi këtë tregues të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryeministri nënvizoi se është më shumë sesa dyfishuar Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar në një dekadë.

“Do të thotë se Shqipëria prodhonte në total më pak se 10 miliardë euro, ndërsa në 2024 prodhoi 25 miliardë euro, dy herë e gjysmë më shumë”, tha Rama.

Për të kuptuar sa domethënëse është kjo, Rama tha se duhet parë në kontekstin e rajonit, ku Shqipëria ka rritjen më të madhe të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, krahasuar me vendet e rajonit në 10 vitet e fundit.