AktualitetPolitikëTë fundit

Lobimi i PD në SHBA, Rama: Kontratë lebetitëse për të pastruar damkën nga balli i “bufit të kënetës”

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot drejtpërdrejt pyetjeve të adresuara në platformat sociale.

Në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama foli për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rama theksoi se “kontrata patriotike që u shfaq befasisht si një ndihmë besoj unë, një ndihmë e çmuar për të gjithë ata që s’kanë dashur të shikojnë, s’kanë dashur të dëgjojnë, s’kanë dashur të kuptojnë. Nëse duan të shikojnë, edhe të dëgjojnë dhe të kuptojnë tanimë e kanë para syve një shëmbëlltyrë të të gjithë traumave që kanë dëgjuar dhe kanë dashur të besojnë”.

“Një kontratë patriotike. Janë mbledhur disa patriotë, që nuk e dimë kush janë, nuk dihet kush janë, sepse nuk janë në fakt për hir të së vërtetës edhe kanë grumbulluar 6 milionë dollarë për të pastruar damkën nga balli i “bufit të kënetës” damkën e Shteteve të Bashkuara për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”, tha Rama.

“Po pse duheshin këto 6 milionë dollarë për këtë damkë nëse kjo damkë ishte damka e një komploti të Sorosit me mua dhe duke shfrytëzuar vulën e SHBA? Pse duhej kjo kontratë dhe pse duhen këto 6 milionë dollarë për të vënë në vend një padrejtësi kaq të madhe që u tha se do vihej sapo të vinte në pushtet presidenti Donald trump? Pse duhej kjo kontratë 6 milionë dollarëshe, e cila është ku e ku më e lebetitshme se ajo kontrata e Lulit të shkretë që u bë copash për të justifikuar ato 500 mijë dollarët fantazmë? Edhe ai kështu tha: “disa patriotë” tha, për ato paratë që ishin të lidhura me Rusinë në atë kohë. Po, 500 mijë, kurse këto janë 6 milionë dollarë”, tha Rama.

“6 milionë dollarë, ku pjesë e zjarrit patriotik është edhe sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë kapelën “bufit” në kokë. Domethënë për të vënë një kapele në kokë që të duket si Trumpi, por versioni më qesharak i mundshëm, Latifi ka marrë pjesën e tij në to 6 milionë dollarë”, theksoi Rama.

“6 milionë dollarë që kanë dalë nga barku i “kënetës” dhe që synojnë të realizojnë atë që na u tha se ishte tanimë një gjë e realizuar”, u shpreh Rama.

Fraksion.com