Celibashi: Mbi 70 mijë vota të mbërritura në KQZ, 30 mijë zarfe nuk janë dërguar ende
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha sot se “deri tani 70 mijë emigrantë kanë kthyer fletët me votat e tyre për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, nga mbi 245 mijë pjesëmarrës të regjistruar për këtë proces”.
Kryekomisioneri e bëri këtë deklaratë gjatë konferencës së sotme me rastin e testimit operacional për Sistemin e Votimit dhe Numërimit Elektronik, ndërsa u shpreh se “ky numër i korrespondon shifrës 30% të pjesëmarrjes”, pasi sipas tij ende nuk janë dorëzuar nga kompania postare DHL mbi 30 mijë zarfe me fletët e votimit.
“Janë mbi 70 mijë votues që e kanë kthyer fletën e votimit nga mbi 245 mijë të regjistruar. Presim ardhjen e fletëve të tjera të votimit. Presim që kompania postare të shpërndajë të gjitha fletët e votimit, zarfet. Kanë mbetur edhe 30 mijë fletë votimi e pak për t’u shpërndarë, ka gati edhe 2 javë kohë dhe presim që të shpërndahen”, tha Celibashi.
Sipas kreut të KQZ-së, pavarësisht problematikave, sistemi është duke funksionuar me nota pozitive.
“Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit dhe kthimit po shkon normalisht dhe nuk kemi problematika të mëdha. Nuk kemi sistem që po dështon, funksionon, por ka dhe probleme. Edhe shqetësimet e partive politike janë sporadike. Po verifikojmë për zgjidhje problematikat që kanë dalë. Por, duhet të themi se sistemi është duke funksionuar dhe shqetësimet janë të tilla sa nuk e vënë në dyshim integritetin e procesit. Duhet thënë edhe se 70 mijë e kanë kthyer fletën e votimit, ose 30% e totalit dhe vetëm 30 mijë nuk kanë mundur ta marrin dot fletën. Si proces dhe kjo eksperiencë e parë e jona është disa herë më e mirë se e vendeve me traditë në këtë proces, por duket se problemet marrin vëmendjen më të madhe sesa pozitiviteti i procesit”, pohoi Celibashi.
Fraksion.com