“Shteti rritet kur ka një drejtues të madh”, zëvendëspresidenti i grupit “San Donato”: Investojmë në Shqipëri se ka stabilitet dhe siguri
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u nënshkrua sot marrëveshja për shërbimin shëndetësor shqiptar, e posaçërisht për QSUT dhe Universitetin e Mjekësisë, që do të hyjnë në një partneritet strategjik me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita- Salute San Raffaele”.
Kamel Ghribi zëvendës presidenti i grupit “San Donato” në fjalën e tij përgëzoi kryeministrin Edi Rama për investimet që janë bërë në Shqipëri dhe kryesisht në fushën e shëndetësisë. Sipas tij është bërë përparim në kujdesin shëndetësor.
“Kur erdha për herë të parë në Tiranë pata mbresa, mendoja se Tirana, Shqipëria më tepër, nuk është shumë e modernizuar e përparuar, kështu mendoja dhe pastaj u habita. Ky përparim nuk do të ishte i mundur pa mençurinë e qartë politike të kësaj qeverie dhe mendoj se çdo shtet rritet kur ka një drejtues të madh, kur drejtuesit janë të interesuar për popullin e tyre, kur drejtuesit vërtetë mendojnë çfarë mund të bëj për popullin tim. Këtë e them jo për të kënaqur njëri-tjetrin, por po flas për diçka që është konkrete. Kam parë përparim, mjekë shumë të mirë, një kujdes shëndetësor të përparuar”, tha Ghirbi.
Më tej Ghirbi nënvizoi “Shqipëria mund të jetë një nyje nevralgjike për gjithë rajonin, për zonën e Ballkanit nga veriu në jug nga lindja në perëndim, por jo vetëm kaq edhe për Lindjen e Mesme”.
Ghirbi shtoi se “ne jemi të angazhuar për të punuar së bashku si grup”.
“Ju keni vend të shkëlqyer, detet të shkëlqyera, politikën të shkëlqyer, një komb të shkëlqyer dhe ne do të donim të ishim të parët, por jo të fundit që të ecnim dorë më dorë duke punuar së bashku”, tha Ghirbi.
Ghribi tha se kur vijmë të investojmë në Shqipëri vijmë se ka stabilitet dhe siguri.
“Një dorë nuk e bën dot punën pa dorën tjetër, kështu që së bashku do të bëjmë gjëra të shkëlqyera. I uroj Shqipërisë të lulëzojë, dhe kur vijmë të investojmë në Shqipëri vijmë së ka stabilitet dhe siguri. Investitorët duan 2 gjera stabilitet siguri dhe mos të ketë burokraci”, tha Ghirbi.
Fraksion.com