Rama: Ambicia jonë, QSUT pikë referimi në Ballkan dhe qendër ekselence europiane
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe Universiteti i Mjekësisë firmosën sot marrëveshjen për partneritet strategjik për shërbimin shëndetësor me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe universitetin përkatës “Vita – Salute San Raffaele” të Milanos (Itali).
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e konsideroi këtë një moment historik për shëndetësinë shqiptare, madje edhe për vetë vendin.
“Sot ne hapim një faqe krejt të re, një rrugë që ka qenë e gjatë, jo e lehtë dhe kishte një pikënisje, që të thuash dëshpëruese është pak. Kishim një situatë dhe sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë e padyshimtë ishte vlera e profesionistëve të sistemit, e mjekëve dhe infermierëve që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë. Ndërkohë as nuk mendonin se një ditë kushtet do të bëheshin ato që janë sot”, u shpreh Rama.
Por, kryeministri theksoi se “përsëri ne jemi shumë më ambiciozë se kaq dhe nuk jemi absolutisht të kënaqur me çfarë kemi arritur”.
“Duam të shkojmë më tutje. Ambicia është ta bëjmë këtë qendër spitalore pikën e referimit për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselence mes qendrave të ekselencave të Europës”, u shpreh Rama.
Kryeministri siguroi se kjo është plotësisht e mundur, ndërsa solli në vëmendje vlerësimet që janë bërë nga profesionistë ndërkombëtarë të fushës për personelin mjekësor në Shqipëri.
“Ne kemi dëgjuar fjalët më të mira për mjekët, infermierët dhe personelin e qendrës. Kjo është baza e besimit të tyre dhe besimit tonë se ne mund ta transformojmë qendrën në një qendër ekselence për kujdesin shëndetësor për gjithë Ballkanin”, u shpreh Rama.
Fraksion.com