“Le t’i sjellë socialistët e lagjes”, Berisha nga Lapraka fton sërish Ramën në debat: Pse kryeministri nuk guxon të takojë një gazetar?
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë nr. 11 të Laprakës, ku u shpreh se PD ka një projekt të qartë për të adresuar problemet e qytetarëve dhe për të luftuar varfërinë që është shkaktuar nga qeverisja aktuale.
Ai kritikoi ashpër qeverinë e Edi Ramës për keqpërdorimin e fondeve publike dhe shpërdorimin e pasurisë shtetërore.
“Miq, Edi Rama e ka ndjerë fundin.
Ka dy muaj që ka ndaluar me urdhër kandidatët e tij të ballafaqohen me kandidatët tanë, sepse nuk do që ju të merrni vesh të vërtetat, sepse e di se ata nuk dalin dot, se kur të dalin nga studiot, do dalin me fytyrë të nxirë nga aferat e Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë.
E kam ftuar, prapë këtu e ftoj, të vijmë ja në këtë skenë dhe të bëjmë debat para jush, t’i marrë të gjithë socialistët e lagjes t’i sjell këtu, unë i pranoj, i respektoj ata, por ai nuk ka besim as tek socialistët.
Nuk ka besim se kësaj here e kuptuan edhe ata se nuk ka program. Programi i tij është këneta, është tallavaja, është banaliteti, është mashtrimi.
Çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë, çdo fëmijë me një prind, do kenë minimumin jetik 200 euro.
Rroga minimale në Shqipëri rritet në 500 euro.
Qeveria do u japë qytetarëve rrogëulët dhe me pensione kartën e konsumatorit. Ata do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë se të tjerët.
U garantoj se përgjigje emergjente do marrë situata katastrofale e shëndetësisë në këtë vend.
Qytetarë dhe qytetare, vetë INSTAT informoi se shqiptarët në një vit paguajnë nga xhepi për kujdes shëndetësor 820 milionë. Fatura e bukës në një vit në Shqipëri është 220 milionë euro. Fatura për kujdesin shëndetësor është 820 milionë euro. Katër herë më shumë.
Po pse kjo? Sepse mafia ka pushtuar thellë sistemin shëndetësor.
Sepse qeveritarët, drejtorët kryesorë të tyre, përvetësojnë, vjedhin taksat tuaja me të cilat duhet të blihen ilaçet, duhet të blihen aparaturat.
Dhe më keq, aparaturat lihen të prishura në mënyrë që ju të shkoni tek privati ose të mos i bëni dot.
Me partneritetet e tyre të korruptuara, analiza në publik qytetarët mund të bëjnë vetëm 20 ditët e para të muajit. 10 ditët e tjera asnjë analizë. Të gjitha në sektor privat.
Miq, nuk ekziston kund një sistem kaq i pamëshirë, kaq i papërgjegjshëm.
Ju e dëgjuat Edi Ramën tre muaj më parë, u detyrua të pranojë se në Spitalin Onkologjik ishin kryer krime kundër njerëzimit.
Po, sepse të sëmurëve nuk u janë dhënë ilaçet për të mjekuar sëmundjen. Ose u janë dhënë ilaçe që nuk kanë efekt.
Tani, ky njeri që deklaroi para tre muajsh se në Spitalin Onkologjik janë kryer krime, mori ndonjë masë? Nuk mori asnjë masë sepse nuk ka shpirt.
Për atë, njerëzit janë për t’u përçmuar.
Janë për t’u poshtëruar.
Po ka poshtërim më të madh… ke një buxhet përpara për ta ndarë 8 miliardë dhe kur vjen puna deklaron se për pensionistët ke lënë gjithsej 16 milionë euro.
Dhe kur ne i themi si opozitë se kjo është hata, thotë se po të bëjmë atë që thoni ju, biem në greminë.
Jo nuk biem në greminë. Por ai vjedh pensionet, se me ato pensione i kalon paratë tek rrugët, me të cilat i ndërton me një çmim të dhjetëfishtë krahasuar me çmimin evropian.
I përdor për luks, për udhëtime, ndaj dhe nuk rriten pensionet.”
Fraksion.com