AktualitetTë fundit

“Lamtumirë, Papa Françesku”, Presidenti Begaj kujton veprën e tij: Shenjtëroi Nënë Terezën dhe lumturoi 38 martirë

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kujtoi gjërat madhore që Papa Françesku bëri për Shqipërinë, që nga vizita, deri te shenjtërimi i Nënë Terezës.

“Papa, i cili zgjodhi Shqipërinë si vizitën e tij të parë evropiane më 21 shtator 2014, shenjtëroi Nënën Terezë më 4 shtator 2016, nënshkroi dekretin për lumturimin e 38 martirëve të parë të epokës komuniste të Shqipërisë më 5 nëntor të të njëjtit vit, shtoi dy të tjerë më 16 nëntor 2024 dhe themeloi Dioqezën e Prishtinës dhe të Prizrenit” – shkruan Begaj.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Meshën e Shenjtë për Papa Françeskun. Shërbesa u mbajt përpara Bazilikës në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Presidenti Begaj iu bashkua ceremonisë krahas udhëheqësve botërorë së bashku me delegacionin shtetëror që kryeson, të përbërë nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit, Adea Pirdeni dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj.

Në respekt të ditës së zisë të shpallur nga qeveria shqiptare për Atin e Shenjtë, flamuri është vendosur gjysmë shtizë këtë të shtunë në Institucionin e Presidenit të Republikës në Tiranë.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, është pritur në dy Audienca të veçanta në Selinë e Shenjtë, Vatikan, nga Shenjtëria e Tij, Papa Françesku. Herën e parë, Presidenti Begaj u takua me Atin e Shenjtë në dhjetor të vitit 2022, disa muaj pasi kishte marrë detyrën e Kreut të Shtetit në Shqipëri. Takimin e dytë me Papa Françeskun, Presidenti Begaj e zhvilloi në maj të vitit të shkuar.

 

Fraksion.com