AktualitetKosovaTë fundit

Osmani bën homazhe në Vatikan për Papa Françeskun

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe para arkivolit të Papa Françeskut, që vdiq më 21 prill në moshën 88-vjeçare.

Osmani homazhet në bazilikën e Shën Pjetrit i bëri së bashku me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, dhe me kardinalin, Ernest Simonin.

“Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”, shkroi Osmani në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të jetë në mesin e krerëve botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, që do të marrin pjesë edhe në varrimin e Papa Françeskut, të shtunën më 26 prill.

Nga vendet e rajonit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ajo e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova do të marrin pjesë në varrim, ndërkaq në varrim do të jetë i pranishëm edhe kryeministri serb, Gjuro Macut.

Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, vdiq nga sulmi në tru dhe si pasojë nga dështimi i pakthyeshëm i zemrës, tha Vatikani.

Françesku e ka lënë në testament që dëshironte të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë papë të mëparshëm.

Viteve të fundit, kreu i Kishës Katolike ishte përballur me probleme shëndetësore. Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operimi në zorrën e trashë, ndërsa më 2023 ka pasur një operim tjetër në abdomen për të trajtuar herninë.

Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.

Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë. Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte ditë të tëra në spital.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romane, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar./REL


Fraksion.com