Nënstacioni i ri energjetik fuqizon turizmin në zonën e Velipojës
Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike dhe turistike, dhe me përfundimin e nënstacionit të ri energjetik me kapacitet 50 mega, do të zgjidhë përfundimisht çështjen e furnizimit me energji për të gjithë zonën.
Kryeministri, njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, dhe administratori i OSSH-së, Bledian Dalipi, inspektuan punimet në nënstacion.
Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi për rritjen e fuqisë energjetike të zonës, e cila ka një ngarkesë të madhe gjatë sezonit turistik, dhe për zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të reja hotelerie me 5 yje. Ai theksoi se ky projekt do të jetë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Velipojës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në këtë destinacion turistik.
Kreu i OSSH-së, Dalipi, theksoi se deri para katër vitesh, kjo zonë furnizohej nga një nënstacion tërësisht i amortizuar, i ndërtuar në vitin 1985, me kapacitet vetëm 10 mega. Ai njoftoi se nënstacioni i ri do të jetë gati brenda muajit qershor dhe se me përfundimin e tij, e gjithë zona e Velipojës do të jetë e lidhur në rrjetin 20 kV. “Ky investim do të jetë një parapërgatitje për zhvillimin e zonës për shumë vite të ardhshme, duke garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike”, tha ai.
Në përpjekje për të mbështetur zhvillimin turistik të zonës, Dalipi informoi gjithashtu për ndërtimin e një nënstacioni të ri edhe në Shëngjin.
Lidhur me këtë, kryeministri Rama theksoi se projekti do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së infrastrukturës energjetike dhe përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve të nivelit të lartë në turizëm.
“Në Shëngjin, kemi disa projekte të jashtëzakonshme që do të sjellin cilësi . Po synojmë konsumatorin e nivelit të lartë në turizëm, ndaj është i domosdoshëm zhvillimi i infrastrukturës”, u shpreh kryeministri Rama.
Përveç investimeve në zonën bregdetare, OSSH po punon për projekte të ngjashme në Alpe.
Dalipi njoftoi se ka filluar ndërtimi i një linje 35 kV nga nënstacioni i Koplikut deri në Bogë, dhe është parashikuar ndërtimi i një linje për në Lepushë dhe zonën e Tamarës, për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji edhe në zonat malore.
Këto investime do të përmirësojnë ndjeshëm furnizimin me energji dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Fraksion.com