Eni Vasili zgjidhet drejtore e Përgjithshme e RTSH-së
Gazetarja Eni Vasili është zgjedhur drejtore e përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar. Vasili u votua nga 7 anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Ky ishte raundi i dytë i votimit, pasi raundi i parë dështoi për shkak se asnjë prej kandidatëve nuk mori 7 vota ose 3/5 e votave. Në këtë raund ishin në garë vetëm 3 kandidatët më të votuar: Zoje Jakaj, Engjëllush Musai dhe Eni Vasili. Votimi ishte i fshehtë dhe Vasili mori mbështetjen me 7 vota nga Këshilli Drejtues i RTSH. 3 vota shkuan për Zoje Jakaj (Marashi) dhe 1 votë për kandidatin Engjëllush Musai.
“Votimi i dytë për drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar rezulton të jetë i suksesshëm, pasi arrin të realizojë nevojën statutore të Radio Televizonit Publik Shqiptar për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm prej 3/5 të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Kandidatja Eni Vasili zgjidhet drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar me 7 vota”, u shpreh kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli.
Në bazë të statutit të RTSH, Eni Vasili pritet ta ushtrojë detyrën në 5 vitet e ardhshme. Gazetarja dhe moderatorja e njohur ishte një ndër 12 kandidatët fillestarë që paraqitën platformat dhe vizionin e tyre për medin publike. Më herët ajo ka punuar dhe ka dhënë kontributin e saj në disa prej televizioneve kryesore në vend.
Fraksion.com