Berisha premton revolucion në Shëndetësi dhe Arsim: Dyfishim buxheti, rroga më të larta dhe një fakultet i ri mjekësie
Në një takim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, kryetari i PD Sali Berisha prezantoi një platformë të zgjeruar për reformimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vend, duke e cilësuar si një prioritet kombëtar me pasoja të drejtpërdrejta për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
“Do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë dhe arsimin,” deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme për të ndalur krizën në dy sektorët më jetikë të vendit. Ai theksoi se nuk do të ketë më mjekë e infermierë të papaguar denjësisht, duke premtuar rroga të dyfishuara dhe një pagë minimale prej 1500 eurosh për mësuesit.
Një tjetër pikë kyçe në planin e Berishës është ndarja e qartë mes sektorit publik dhe atij privat në shëndetësi, duke denoncuar bashkëpunimet “mafioze” që sipas tij, kanë degraduar sistemin. “Aparaturat moderne janë të bllokuara me qëllim nga ata që duan të mbajnë të dobët sektorin publik,” u shpreh ai.