Berisha me studentët e mjekësisë: Kemi 4 herë më pak mjekë se mesatarja e BE
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me studentët e mjekësisë në takim elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Berisha u shpreh se gjendja aktuale e sistemit shëndetësor është degraduar duke e krahasuar me vitet ’60.
“Sot ne kemi mjekë 4 herë më pak se mesatarja e BE. Në vitin 2013 ne kishim një mjek për 600 banorë, sot kemi një mjek për 1100 banorë. BE ka një mjek për 300-350 banorë. Gjithçka më rikujton vitet ’60, kur atëherë filluan në rrethe të shfaqen pediatrit e parë se nuk kishte pediatër. Shëndetësia mori goditjet më të rënda 4 vitet e fundit. Eksodi i mjekëve u bë masiv”, tha Berisha.
Berisha theksoi se projekti i PD-së për Shqipërinë Madhështore “parashikon një transformim tërësor të arsimit dhe të shëndetësisë”.
“Së pari, nuk ka udhëtim drejt Europës me standardet më të ulëta, me standarde të 65 viteve më parë, të numrit të mjekëve për popullatën”, tha Berisha.
Berisha tha se “500 milionë euro ishte abuzimi i tmerrshëm që këto bënë me paratë e Covid-it”.
“Dhe ne dolëm në çatinë e botës për vdekshmërinë nga Covid-i. Po pse? Jo se ishim vendi më i shpartalluar, as se ishim vendi më i varfër. Por sepse nuk shtronin të sëmurët. E mbanin me 500 shtretër. Kosova me një të tretën e popullatës më pak, me 1200 shtretër. Maqedonia me 1300 shtretër”, tha Berisha.
Gjatë takimit Berisha premtoi se do të dyfishojë buxhetin për Shëndetësinë.
“Së pari, ne do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, do dyfishojmë buxhetin për arsimin. Së dyti, nuk do ketë mjek apo infermier në spitale në qoftë se nuk i paguan ata shumë, shumë mirë. Do rritësh rrogat. Gjer në vitin 2013 kanë qenë të pakët ata që iknin. Kështu që ne zotohemi të dyfishojmë rrogat për mjekët dhe infermierët. Do vendosim një rrogë minimale 1500 euro për mësuesit me qëllimin që ata të ndjehen në funksion të misionit të madh që kanë” tha Berisha.
Berisha u shpreh më tej se “do të hapim detyrimisht një fakultet tjetër mjekësie”.
“Nuk përballohen. Kanë ikur në vit 1 mijë, imagjinoni ju kur të dalin në pension këta të këtij viti. Ne shkojmë drejt një shterimi të frikshëm të personelit mjekësor.
“Ndaj dhe ne me përparësi absolute do të hapim një fakultet të dytë mjekësor dhe do përpiqemi të rrisim shumë pranimet në këto dy universitete në mënyrë që t’i japim përgjigje këtij vakuumi me pasoja shumë të rënda për shëndetin e shoqërisë”, tha Berisha.
Fraksion.com