Rama me bizneset në Elbasan: Taksa progresive i kursen rrogëtarëve 140 milionë euro çdo vit
Kryeministri Edi Rama po zhvillon një bashkëbisedim me biznesin në Elbasan për planin e “Paqes Fiskale”.
Ky plan konsiston në një seri reformash dhe lehtësish fiskale, që do të ndërmarrë qeveria shqiptare me qëllim mbështetjen e biznesit të vogël dhe nxitjen e formalizimit të ekonomisë.
Kjo paketë e veçantë i jep bizneseve mundësinë për të mbyllur çështjet e së kaluarës dhe për të pasur një marrëdhënie të re, më të drejtë dhe më të parashikueshme me shtetin.
Në fjalën e tij gjatë këtij bashkëbisedimi Rama tha se takimi fokusohet tek një pasqyrë e të gjithë ecurisë nga pikëpamja e financave dhe nga ana tjetër për një plan të ri të quajtur plani i “Paqes fiskale”.
Duke iu drejtuar biznesit, kreu i qeverisë tha se “duhet të vazhdojmë me kurajo përpara ne punën tonë, ju në tuajën dhe komplementare kemi interesin, ju interesin privat ne interesin publik. Unë besoj që mbrohet më fort kur sipërmarrja është e fortë. Duke qenë se ne jemi të vetëdijshëm që ka gjëra që nuk shkojnë duke qenë se në aspektin e kuadrit fiskal ne nuk kemi ndryshime për të bërë, pra qysh në krye të herës e rrëzuam taksën e sheshtë njësoj për të gjithë”.
Sepse nëse ne, vijoi Rama, do të kishim mbajtur taksën e sheshtë, të cilën e predikojnë të tjerët akoma sot si një zgjidhje magjike nuk do të kishim sot 93% të atyre që janë rrogëtarë në shtet apo privat që paguajnë më pak se 10%.
“Taksa 10% bënte që të gjithë të paguanin 10% dhe godiste më të vegjëlit. Ne e kthyem në progresive pikërisht që më të vegjlit të mos paguajnë njësoj si më të mëdhenjtë dhe çfarë ka sjellë kjo. Çdo vit i kemi kursyer më të vegjëlve, rrogëtarëve me pagë mesatare 140 milionë euro që bëjeni llogarinë vetë në 10 vjet sa shkojnë. Një shumë jo e vogël për shtetin shqiptar, 1.4 miliardë janë shumë dhe ia kemi lënë arkës së familjes”, nënvizoi Rama.
Ndërkohë, shtoi Kryeministri, që tatimfitimin për kompanitë e kemi vendosur 15% që atëherë dhe nuk e lëvizim, as nuk do ta rrisim as nuk ta prekim, do të jetë 15%.
“Por në aspektin e administrimit ne e dimë që kemi të meta dhe boshllëqe që janë tonat ashtu sikundër e dimë shumë mirë që kemi hapësirë ende të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin. Por nga ana tjetër nuk duam të synojmë rritjen e mëtejshme të të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen duke bërë më shumë dëm sesa mirë. Për këtë arsye kemi menduar një plan që bazohet në një princip, i njohur që nga koha e Romës së lashtë i përdorur vazhdimisht herë pas here në forma të ndryshme, një plan paqeje fiskale për të cilin ministrja e Sipërmarrjes që ka detyrën të nxisë qeverinë, të na nxisë ne që të jemi më pro biznesit dhe nga ana tjetër t’i japë sipërmarrjes më shumë dëgjim e mirëkuptim”, tha Rama.
Fraksion.com