AktualitetBota+Të fundit

Rama: Jemi garantët që drejtësia të vazhdojë punën e vet

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “PS është garaci që drejtësia të vazhdojë të bëjë punën e vet, ku gjithkush është i barabartë përpara ligjit”.

Duke marrë fjalën në takim me gratë dhe vajzat në Elbasan, Rama theksoi se, “aty ku ka barazi para ligjit ka garanci”.

“Në fushatën e 2017-s, kur ju na dhatë besimin të qeverisnim vetëm, ishte koha kur ata sot kanë pafytyrësinë të kërkojnë përsëri besimin e qytetarëve, që nuk kanë për ta marrë kurrë, ishin mbyllur në çadër dhe kërcënonin shkatërrimin e zgjedhjeve se nuk donin të votonin Vetting-un, nuk e donin reformën në drejtësi dhe sot e thonë me plot gojën: “Në 12 maj do të shkrijmë SPAK-un””, tha Rama.

Ai theksoi se, “ndërkohë që nga ajo fushatë dhe nga ato zgjedhje, kur shqiptarët më besuan, ndodhi ajo që nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar: përpjekja e parë në histori për barazi përpara ligjit”.

“Që nga krijimi i shtetit shqiptar, një ministër, një deputet nuk ishte thirrur nga një prokuror i pavarur për të dhënë llogari. Drejtësia ishte e fortë me të dobtin dhe e dobët me të fortët, sot kjo po ndryshon. Por nuk është e garantuar. Sot për sot, garantët e kësaj drejtësie, e këtij ndryshimi që drejtësia të vazhdojë të bëjë punën e vet pavarësisht sesa mirë apo keq mund të na vijë, drejtësia duhet të vazhdojë të bëjë punën e vet dhe garantët për këtë jemi ne”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se,” garantët për këtë jemi ne, ju dhe unë, por që nesër të mos dalë dikush tjetër, e pasnesër dikush tjetër, që t’i marri koka erë dhe të tentoj ta kthej prapë rrotën e historisë aty ku ishte, se kështu na ka ndodhë ne shqiptarëve herë pas here prandaj kemi mbetur gjithmonë populli i dorës së dytë në Europë, se më shumë ia kemi bërë vetes se sa na kanë bërë të huajt. Më shumë na ka bërë i yni brenda se sa na ka bërë armiku jashtë”.
“Atëherë ne duhet që të merrnin në dorë fatin pikërisht të drejtësisë, sepse aty ku ka barazi para ligjit, aty ka garanci absolute për lirinë individuale të gjithë fëmijëve tuaj dhe duke e bërë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, ne e bëjmë Shqipërinë një zonjë që ulet në sallonin e asaj shtëpie me 27 anëtarë të tjerë dhe në momentin që një vend hyn aty, nuk ka më forcë të brendshme që prek barazinë para ligjit. Dhe dua tua u them drejtpërdrejt se gjëja që është më fyesja për inteligjencën time dhe inteligjencën tonë, është kur këta çyrykë dalin dhe thonë si mund të votohet Edi Rama, si mund të votohet Partia Socialiste kur gjysmën e qeverisë e ka në burg”, u shpreh Rama.

Ai tha se, “një prokuror i ndershëm, kurajoz dhe profesionist që drejton SPAK-un, që bashkë me një grup prokurorësh po vënë në jetë, atë që ne kemi synuar me reformën në drejtësi dhe prandaj gëzojnë dhe mbështetje. Dhe prandaj meritojnë dhe të gjithë solidaritetin tonë ndaj të gjithë atyre sulmeve kafshërore që i bëhen nga këneta, por pyetja është a e dini ju që Altin Dumani nuk erdhi nga hëna pasi u bë reforma në drejtësi, nuk doli nga bankat e shkollës pasi u bë reforma në drejtësi. Është një prokuror që ka 20 vjet a nuk e di, por shumë më tepër vite sesa këto që e njohim. Pse nuk kishim dëgjuar ne për Altin Dumanin? Si ka mundësi që ky prokuror i ndershëm, kurajoz, profesionist nuk kishte thirrur një njeri të vetëm me pushtet, jo ministër se s’bëhej fjalë, por një drejtor, t’i thoshte, hajde këtu ti, çfarë ke bërë ti sepse Altin Dumani dhe prokurorët e ndershëm dhe kurajozë, ishin të çarmatosur sepse drejtësia në Shqipëri ishte e çarmatosur, sepse shpatën për ta ngritur dorën në emër të drejtësisë, nuk e kishte drejtësia, e kishte i pari i drejtësisë dhe jemi e para forcë në historinë e Shqipërisë që dorëzuam shpatën dhe e dorëzuam shpatën duke e lënë të gjithë së bashku veten në dispozicion të drejtësisë”.

“Sa herë drejtësia ka nevojë të bëjë hetimet apo të japë gjykimet e veta, pra faktikisht dorëzuam shpatën dhe e lamë kokën pa mbulojë, pa mburojë, pa mbrojtje për t’iu dhënë mbrojtje nga ligji të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, për t’i bërë më në fund një herë e mirë shqiptarët të ndihen të barabartë përpara ligjit. Kjo është një gjë historike. Kjo është një gjë për të cilën të gjithë do jemi krenarë dhe historia do ta shënojë, por për ti’i vënë vulën, duhet që Shqipërinë ta fusim në Bashkimin Europian. Unë jam i bindur që ne do ta bëjmë këtë” deklaroi Rama.

Fraksion.com