Fushata për 11 majin, Berisha prezanton kandidatët në Himarë, shoqërohet nga Fredi Beleri
Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbërritur sot në Himarë për të marrë pjesë në prezantimin e kandidatëve të koalicionit opozitar PD-ASHM në këtë qytet në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha u shfaq i shoqëruar nga Fredi Beleri, ish-kandidati i PD për bashkinë e Himarës në zgjedhjet vendore dy vite më parë, por u arrestua për shitblerje votash.
Së bashku me Berishën ishte dhe ish-kandidati tjetër për zgjedhjet e Himarës, Petro Gjikuria si edhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe tek arrestimi i Belerit. Sipas Berishës “drejtësia u përdor për t’i marrë Belerit mandatin”.
Berisha shtoi se “besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore”.
Kryetari i PD-së u ndal edhe tek çështja e pronës, ku premtoi se qytetarët do të pajisen me dokumente.
“Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute”, tha Berisha.
“Ne zotohemi se do të respektojmë paprekshmërinë e pronës, do të rikthejmë pronën në çdo rast që ajo ekziston”, theksoi Berisha.
Fraksion.com