74-vjetori i Aviacionit Ushtarak, Vengu: Rikthejmë Shkollën e Aviacionit
Në hangarin e sapondërtuar të helikopterëve Black Hawk në bazën ajrore të Farkës u zhvillua ceremonia e 74-vjetorit të Forcës Ajrore, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Altin Kurti, komandanti i Forcës Ajrore gjeneralmajor Ferdinand Dimo, drejtues të lartë të Forcave të Armatosura, përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve të Aviacionit, familjarë të pilotëve dhe teknikëve të bazës, etj.
Në fjalën e tij në këtë ceremoni, ministri Vengu i kushtoi rëndësi përgatitjes së burrave dhe grave që shërbejnë në uniformë, trajtimit të tyre, por edhe investimeve në mjete, armatim e pajisje për Forcën Ajrore.
“Objektivat pikësëpari fillojnë me kapitalin njerëzor dhe me shkollimin. Në mbledhjen e qeverisë, u ndërmorën disa hapa në këtë drejtim dhe për pak ditë do të kem kënaqësinë që t’ju ftoj përsëri në një aktivitet që do t’i vendosë vulën rithemelimit të Shkollës së Aviacionit.
“Elementi i dytë ka të bëjë më modernizimin dhe investimet në mjete, pajisje, sisteme dhe ne do ta vijojmë programin e modernizimit të Forcës Ajrore. Duhet t’i rikthehemi me patjetër avionëve dhe mjeteve me krahë fikse edhe do të kemi patjetër nevojë që të shtojmë, jo vetëm pilotët përkatës sepse do jenë në misione të dyfishta, misione emergjencash civile, misioni monitorimi dhe vëzhgimi. Sikundër do të vazhdojmë edhe të gjithë komponentët të mbrojtjes kundërajrore, shumë të rëndësishëm, të cilët janë neglizhuar për vite, por në kuadër të objektivave të Aleancës dhe të nevojave kombëtare, duhet që t’i rikthehemi këtij elementi shumë të rëndësishëm.
“Së bashku me kapitalin njerëzor dhe modernizimin, ne do të vazhdojmë padyshim të gjithë atë përpjekje qe kjo qeveri ka ndërmarrë për sa i përket trajtimit të financiar, kushteve të punës dhe benefiteve që statusi i ushtarakut jep edhe për familjet e ushtarakëve. Është bërë një përpjekje shumë e madhe. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur një rritje domethënëse të trajtimit financiar të pilotëve dhe të teknikëve. Do ta vijojmë rritjen, është një zotim i kryeministrit Edi Rama, në mënyrë që të arrijmë në atë mesataren e vendeve të NATO-s, e cila nuk është arritur ende, pavarësisht se sot jemi të parët në rajonin tonë”, u shpreh ai.
Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralmajor Ferdinand Dimo nënvizoi se hangari i ri i helikopterëve është një shembull i investimeve në infrastrukturë.
Kreu i Shoqatës së Veteranëve të Aviacionit gjeneral brigade në lirim Astrit Jaupaj solli në vëmendje procesin e modernizimit të Forcës Ajrore si dhe falenderoi ministrin Vengu për qasjen që ka treguar në këto muaj ndaj ish-ushtarakëve.
Fluturimi i parë me një avion të shtetit shqiptar u krye më 24 prill 1951, kur piloti Peço Polena kreu fluturimin e parë, duke u bërë kështu pioner i një rrugëtimi krenarie, përkushtimi dhe kontributi të Forcave tona Ajrore.
Fraksion.com