AktualitetPolitikëTë fundit

Rehabilitimi i rrugës së Plugut në Lushnjë, Balluku: U shërben fermerëve dhe urbanizimit të zonës

Në bashkinë e Lushnjës, në fshatin Plug, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton projektin për rehabilitimin e rrugës që lidh këtë zonë me autostradën. Një rrugë me gjatësi rreth 3 kilometra, e cila po i nënshtrohet një rehabilitim të plotë e që do të plotësohet edhe me elementët urbanë.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa dhe inxhinierë të FSHZH, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve ku deri më tani janë realizuar afro 25% e tyre.

“Ne me Fondin Shqiptar kemi nënshkruar edhe një kontratë dhe pas asfaltimit do të vazhdojmë edhe me trotuarin në pjesën e majtë të rrugës, me gjatësi 1,1 kilometra që do të shkojë deri në qendër të fshatit Plug, duke i dhënë një urbanizim zonës, ashtu siç e meriton”, bëri të ditur Sefa.

Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë në shtator të këtij viti, duke iu shërbyer kështu të gjithë banorëve të zonës, e veçanërisht fermerëve. “Këtu rrugët luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe kryesor për lidhjen jo vetëm midis njësive administrative, por edhe parcelave në të cilat punohet. Por nga ana tjetër edhe për të gjithë lëvizjen e mallrave bujqësore që ne e dimë që janë ato oraret e pasdites që fillojnë grumbulluesit dhe fermerët shkojnë drejt tyre dhe është e nevojshme që t’i krijohet e gjithë infrastruktura e duhur”, tha Balluku.

Plotësimi i projektit me elementët urbanë, trotuarë dhe ndriçim, i përgjigjet kërkesës së banorëve, por edhe urbanizimit të zonës.

“Nuk ndërtojmë vetëm infrastrukturë rrugore, por kjo infrastrukturë rrugore vjen e kompletuar edhe me mobilimin urban, siç janë pjesa e trotuarëve, pjesa e gjelbërimit, pjesa e ndriçimit që është shumë e rëndësishme në zonë. Është një nga kërkesat që ne e kemi herë pas here. Edhe pjesa e ndriçimit vazhdon që të jetë një kërkesë shumë e rëndësishme që duhet t’ua ofrojmë banorëve”, u shpreh Balluku.

 


Fraksion.com