Rama: Partitë e reja ngjajnë me “Suden”, do të na mungojë Luli
Kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një takim elektoral në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit me socialistët e Skraparit.
Në këtë takim, Rama shoqërohej nga drejtuesi politik i PS dhe njëherazi kandidati për deputet në Qarkun e Beratit, Ervin Demo.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se partitë e reja kanë vetëm moshën e re, ndërsa qëllimi i tyre është karrigia. Sipas Ramës, këto parti ngjajnë me “Suden” apo “Vehbiun”
“Kanë dalë disa zogj të vegjël, që thonë: ‘bëhet’, ‘s’bëhet’, ‘bashkë’, ‘veç’… Më kujtojnë Suden, Vehbiun dhe Rapush Xhaferrin. Ata ta bëjnë detin kos e jetën vaj. Jepu votën dhe nuk do ketë më as korrupsion, as padrejtësi, as çmime të larta. Vetëm jepu votën që të marrin një karrige në parlament. Dhe thonë: ‘ne jemi të rinj’. Të rinj janë vetëm në moshë. Shikojini si fusin gjithë krushqit në lista dhe thonë ‘ne jemi në listën r hapur’”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se pjesë e kësaj panorame është edhe Lulzim Basha, kreu i Koalicionit Euroatlantik.
“Është koalicioni tek pull, i pari koalicion tek pull. Dhe kur e pyesin sa parti ka, thotë: ‘shko në internet dhe gjeje’. Do të na mungojë, sepse është artist”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i PS theksoi se kush voton për “kënetën”, siç e cilëson ai opozitën është rrugë-humbur.
“Nuk kam fyer askënd. Nuk kam thënë që janë ‘çyryk’, por kam thënë që ata që hidhen në kënetë nuk janë mirë. Kam thënë: vajzat socialiste duhet t’i pyesin djemtë demokratë simpatikë se me kë janë, përpara se të lidhen. Sepse s’mund të shkojmë në kënetë. Demokracia është zgjedhje. I majtë, i djathtë, nëse je normal, je tek pesa. Por kur shkon në kënetë, nuk je as i majtë, as i djathtë, as i qendrës, thjesht nuk je mirë. Nuk sheh me sytë e tu, nuk dëgjon me veshët e tu. I ke lënë sytë dhe veshët tek bufi, ai sheh, ai dëgjon, ai flet për ty. Je rrugëhumbur, kush voton për ‘bufin e kënetës’ është rrugëhumbur.”, përfundoi Rama.
Fraksion.com