AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ndërtojmë rrugën Berat – Skrapar, shtohet vlera e tokave dhe pasurive

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pa diskutim në këtë mandat të katërt për Skraparin do të bëjmë më shumë se kemi bërë në të gjithë tjerët së bashku, përderisa do të bëjmë edhe rrugën Berat – Skrapar”.

Në fjalën e tij në takimin elektoral me qytetarë të Skraparit, Rama tha se “ky nuk është premtim është pjesë e programit tonë. E di që ka kaluar kohë, por shpresoj dhe besoj në mirëkuptimin tuaj që u desh ca durim nga ana juaj, por ama me mandatin e  katërt ka ardhur edhe koha e rrugës Berat – Skrapar, e cila ne synojmë ta bëjë lidhjen që sot është e vështirë”.

“Unë nga rruga erdha nuk është fort e lehtë ta bëjmë për 30 minuta maksimumi Beratin me Skraparin dhe njëkohësisht e paralelisht të bëjmë edhe lidhjen e Beratit me Përmetin edhe kështu ju këtu me kanione dhe gjithë këto bukuri të keni një tjetër destinacion të zhvilluar turistik të Shqipërisë, pa llogaritur që e zgjidhni vetë për dy orë në Janinë apo në Tiranë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek zhvillimi i turizmit në Skrapar.

“Jam i bindur që me të gjitha zhvillimet e turizmit dhe me gjithë potencial që ka Skrapari që me fillimin e punës për rrugën e re menjëherë do të shtohen vlerat e tokave e pasurive këtu dhe menjëherë dhe shumë nga ata që kanë ikur, por janë shumë të lidhur”, tha Rama, duke shtuar se skraparllinjtë lidhjen me rrënjët këtu e kanë shumë të fortë.

Rama shprehu bindjen se shumëkush do t’i kthejë sytë për të investuar në Skrapar.

“Paketa e Maleve që ne e kemi miratuar në Parlament, një program i ri për mbështetjen e fshatit e atyre që duan të investojnë në shtëpinë e të parëve, në tokat e të parëve, është një program që i shkon më së miri kësaj zone. Prandaj me ndihmën e Ervin Demos, që tanimë do ta keni edhe deputetin tuaj në Parlament, me ndihmën e kryetarit të bashkisë Adritatik Mema, ne do të organizohemi që të bëjmë të mundur që ata të cilët duan të përfshihen në këtë program të kenë mundësi të informohen e të përfshihen”, tha Rama.

Fraksion.com