AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Muzeu i Verës në Berat do të promovojë industrinë autoktone

Sektori i verës në Shqipëri ka njohur një zhvillim të dukshëm në vitet e fundit, duke u bërë një faktor i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor në vend.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot në Berat do të ngrihet edhe Muzeu i Verës, që do të shërbejë promovimit të industrisë.

Muzeu mund të tërheqë turistë që janë të interesuar për historinë e verës, procesin e prodhimit dhe kultivimin e rrushit. Kjo mund të ndihmojë në rritjen e vizitorëve dhe stimulimin e ekonomisë lokale.

“Kemi një plan për të ndërtuar këtu në Berat, Muzeun e Verës. U kemi vënë syrin disa pikave ku mund të krijohet kjo infrastrukturë. Do t’i shërbejë promovimit, dhe njohjes për të kuptuar nga vijnë verërat tona, historinë autoktone dhe mbështetjes së sektorit”, u shpreh kryeministri, gjatë një takimi me fermerë të Beratit.

Rama informoi se edhe në Qendrën e re të Panaireve në Tiranë, është planifikuar një hoteleri verërash”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, kryeministri vuri në dukje se ka filluar edhe puna për ndërtimin e udhërrëfyesit të kuzhinës, restoranteve dhe verërave shqiptare.

“Kemi parë disa shembuj nga vendet e tjera që kanë bërë modele të ndryshme në këtë drejtim dhe besoj se dhe kjo do të ndihmojë sektorin”, u shpreh Rama

Duhen gjetur rrugë, shtoi ai, duhen stimuluar agroturizmat që të promovojnë verën shqiptare.

“Ndryshe nga sa thuhet se pi verë 33-mijëdollarëshe, kur vijnë miq të huaj, gjithmonë serviret verë shqiptare. Është bërë një përmirësim i jashtëzakonshëm. Ka verëra shqiptare që kanë filluar të hyjnë në restorantet jashtë vendit dhe shumë më shumë do të jenë nëse do të dimë t’i promovojmë”, theksoi ai.

Shqipëria është bërë në gusht të vitit 2023 anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Verës dhe Vreshtarisë, duke e forcuar pozicionin e saj në tregjet ndërkombëtare dhe duke promovuar prodhimin e verërave shqiptare.

Ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm për promovimin e verërave shqiptare në tregjet ndërkombëtare dhe për mbështetje të mëtejshme të zhvillimit të këtij sektori.

 

Fraksion.com