“Rama flet si Nuredin Dumani në gjyq”! Berisha premton: Do falim gjobat për qytetarët dhe bizneset e vogla
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me gratë, deklaroi se nëse PD vjen në pushtet, do të falen dhe kamatat për bizneset e vogla.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për paligjshmëri, duke theksuar se shqiptarët janë të dëshpëruar dhe të detyruar të emigrojnë masivisht. Berisha u shpreh se qeveria aktuale ka rikthyer kamatat dhe se inspektorët ushtrojnë presione ndaj bizneseve të vogla. “Rama bën fushatë tallavaje dhe bullizmi, flet si Nuredin Dumani në sallën e gjyqit,” tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Pra, kemi analogjira të vërteta.
Por, Partia Republikane dhe mbështetësit fituan vetëm duke takuar amerikanët.
Ata gjetën se me takime mund të ndërrohej mendimi i një të tretës së atyre që kishin mendim tjetër për të votuar.
Pra, takimi sipas rezultateve të kësaj fushate, është përcaktues dhe vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.
Ata vendosën një sistem monitorimi individual, d.m.th monitoronin çdo takim të çdo mbështetësi të Partisë Republikane.
Kurrë ndonjëherë më shumë se sa këto javë që kanë mbetur nuk marrin peshë dhe rëndësi të jashtëzakonshme takimet, ju, takimet tuaja dhe të përfaqësuesve tuaj në shtabe.
Ndaj dhe ftesa ime, këshilla ime, sugjerimi im është takime, takime dhe vetëm takime.
Çfarë tregojnë, cila ëshët gjendja tek qytetarët?
Është një optimizëm shumë i madh.
Është një optimizëm po ta shprehim me terma reale, dy kate më i madh se ç’e mendojmë.
Është një optimizëm që nuk mbahet mend kur ka ekzistuar.
Ju e shihni vetë në takimet tuaja.
Unë konstatoj, nuk po flas vetëm për mitingjet, por për takimet që kam bërë në tregje, në rrugë, një klimë jashtëzakonisht miqësore.
Me një fjalë, qytetarët mezi presin programin tonë, fjalën tonë, vlerësimin tonë.
Ky është realiteti.
Ndaj dhe unë e kuptoj lodhjen, është faktor normal, por duhet të bëjmë gjithçka, të dalim mbi të dhe të shumëfishojmë takimet me qytetarët.
Strukturat e PD të tëra duhet të jenë në funksion tuajin, në shërbimin tuaj.
Duhet të bëjnë takime për ju dhe në emër tuaj.
Duhet t’u mbështesin ju fuqimisht.
Ne kemi program serioz. Shikoni çfarë ndodh në anën tjetër?
Ai fillimisht del para shqiptarëve sikur ka zbritur nga Marsi, sikur nuk ka qeverisur 12 vite, sikur nuk e di se ku është, nuk flet as për 12 vitet, as për 4 vitet që vijnë dhe paraqet një narrativë në të cilën kërkon të ngjasojë me një Big Brother apo diçka të tillë, duke presupozuar se njerëzit nuk kanë asnjë problem, asnjë hall.
Se as aktualisht, as në të ardhmen ata nuk ekzistojnë.
Me vulgaritetin e tij, me banalitetin e tij, ai kërkon të spostojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike me të cilat ata përballen tek mashtrimet që ai kërkon të bëjë me tallavanë e tij.
Pastaj kthehet dhe kopjon programin.
Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro.
Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030.
Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave.
Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë.
Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite.
Çfarë ndodh? Ne kemi falur kamatat, këta i kanë rikthyer kamatat. Nuk kanë ligj as moral.
Këta sot e kësaj dite i mbledhin dhe dëgjoja një ditë një qytetar që thoshte se më duhen 80 vite punë për të paguar kamatat që kam për energjinë.
Kështu që ne, jo vetëm qytetarëve, por ne do falim edhe gjobat e biznesit të vogël. Se edhe ai është viktimë e arbitraritetit dhe absurditetit të inspektorëve të qeverisë.
Jemi shumë të vendosur që të falim çdo gjobë, ai kërkonte amnisti për grupet kriminale, ne do bëjmë amnisti për qytetarët dhe bizneset e ndershme./BW
Fraksion.com