Kushtetuesja shfuqizon Ligjin për KPM-në
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Lënda është dërguar nga Kushtetuese deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por gjykata i ka bashkuar këto kërkesa në një rast të vetëm.
Ligji për KPM-në ishte miratuar më 11 korrik 2024 në Kuvendin e Kosovës, pa pjesëmarrjen e partive opozitare në votim.
Nënparagrafët që u gjetën se nuk janë në përputhje me ligjet kanë të bëjnë me zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit, kompetencat e KPM-së, rregullimi i pronësisë së të ligjensuarve dhe disa pika të nenit që ka të bëjë me sanksionet dhe gjobat.
Parashtruesit e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për KPM-në kanë argumentuar se ai është miratuar pa konsultime publike. Në vendimin e Kushtetueses u tha se nuk kërkohet vetëm plotësimi i aspekteve formale për konsultime publike, por që ato duhet të përfshijnë “debate përmbajtësore” lidhur me të gjitha aspektet e një nisme ligjore.
Sa i përket pjesëve të ligjit, që flisnin për shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së, Kushtetuesja gjeti se dy nënparagrafë, që ka të bëjë me kriterin për shkarkim sikurse “humbja e besimit” dhe ai i “cenimit të integritetit” apo “qëndrimeve të anshme”, bien ndesh me nenin 7 të Kushtetutës.
Sa i përket mandatit të anëtarëve të KPM-së, Kushtetuesja tha se ata kanë mandat katërvjeçar, por mandati i tyre përfundon kur të zgjidhen anëtarët e rinj – pra ata mund të qëndrojnë në post deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
Megjithatë, në aktgjykim u tha se kjo nuk e liron Kuvendin nga përgjegjësia që të zgjedhë anëtarët e KPM-së brenda afateve të përcaktuara me ligj.
“Si rrjedhojë, Gjykata në Aktgjykim qartësoi se Kuvendi është i detyruar që të përmbush obligimin ligjor për zgjedhjen e kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, dhe atë brenda afateve të përcaktuara ligjore, në mënyrë që anëtarët të cilët kanë përfunduar mandatin të mos qëndrojnë në detyrë pa arsye bindëse, ashtu siç përcaktohet me Ligjin e kontestuar”, u tha në aktgjykim.
Në aktgjykimin e Kushtetueses u përmend edhe pjesa e ligjit – tashmë të shfuqizuar – që ka të bëjë me mediat online.
“Lidhur me këtë, aktgjykimi thekson se i takon Qeverisë ose Kuvendit që gjatë rishqyrtimit të Ligjit të kontestuar të shqyrtojë tutje çështjet e ngritura përkitazi me përkufizimet/definicionet, si dhe obligimet që parashihen nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim sa i përket legjislacionit të Bashkimit Evropian”, u tha në njoftim.
Aktgjykimi është mirëpritur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe nga këshilltarja ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari.
“Është po ashtu ditë e fitores së shoqërisë civile”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.
Duke listuar pikat kyç të aktvendimit të Kushtetueses, Kusari tha se një ndër shkeljet që Kushtetuesja gjeti kishte të bënte edhe me propozimin e anëtarëve të KPM-së, që cenon pavarësinë e KMP-së.
“Gjykata ka gjetur që disa nene megjithatë janë në pajtim me Kushtetutën por meqë nenet kryesore janë kundërkushtetuese ligji nuk mund të qëndrojë në fuqi”, tha Flutura Kusari.
Gushtin e vitit të kaluar, AGK-ja së bashku kishte dërguar komente për ligjin në Kushtetuese, duke kundërshtuar, veç tjerash edhe pjesën e ligjit që parashihte rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11.
Sipas AGK-së, kjo mund të të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së./REL
Fraksion.com