AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Deputetët mblidhen për një përpjekje të re për konstituimin e Kuvendit

Një takim konsultativ mes kryesuesit të seancës konstitutive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike ka përfunduar para pak çastesh.

Dehari nuk tregoi nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri, por tha se “tash do ta shihni”.

Subjektet parlamentare i kanë kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, pasi kanë kundërshtuar emërimin e Albulena Haxhiut.

Ndërsa  tha se presin që sot të konstituohet Kuvendi i Kosovës pas shumë përpjekjeve, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku nuk tregoi nëse partia e saj do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare.

“Partia Demokratike e Kosovës, dhe besojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, presin zhbllokimin e gjendjes së krijuar në Kuvendin e Kosovës, si pasoj e paaftësisë të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar shumicën”, tha ajo.

PDK-ja, e cila i fitoi 24 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka kundërshtuar emërimin e Albulena Haxhiut të LVV-së si kryetare të Kuvendit.

Nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha për gazetarë para se të hynte në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës se shpreson se partitë parlamentare do të votojnë kandidaten e partisë së tij për kryetare të Kuvendit.

“Uroj që sot opozita të ketë reflektuar, në mënyrë që të vazhdojmë me konstituimin e Kuvendit”, tha ai.

Ai nguli këmbë se konstituimi i Kuvendit “nuk është detyrë vetëm e partisë fituese, por e të gjithë deputetëve”.

Kujtojmë se seanca e së hënës shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca, e cila u hap të hënën, u ndërpre menjëherë pasi kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se kandidatura mbetet e njëjtë – Albulena Haxhiu. Ai shtoi se, duke qenë se partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, nevojitet kohë shtesë për konsultime të brendshme dhe ndërpartiake

 

Fraksion.com