“Klima e moçaleve mediatike është e tmerrshme”, Rama për sondazhet: Shumica e popullit mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur!
Kryeministri Edi Rama foli sot për mbështetjen që qeveria ka dhënë për bujqësinë, ndërsa u shpreh se ky realitet nuk njihet nga “moçalet mediatike”.
Në një takim me fermerët në Berat, Rama u ndal te sondazhi i kryer për zgjedhjet e 11 majit, i cili nënvizonte se “shumica e popullit mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur”.
“E gjithë klima që krijohet nga ato moçale mediatike është e tmerrshme. Të duket sikur këtu nuk ka asnjë gjë. Dolën atje dhe ai ishte sondazhisti i Trump, nuk ishte i joni. Ai kishte pyetur popullin shqiptar dhe kishte nxjerrë se shumica e popullit mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur. Ndërsa ata thoshin ‘nëse është kështu populli është sëmurë’. Nuk e bëjnë dot një moment të marrin frymë dhe të thonë ‘se mos e kemi ne gabim këtë punë’”, tha Rama.
Prandaj, vijoi Rama, kur i dëgjon ata thonë “nuk bën kjo vera shqiptare, nuk bën fshati shqiptar, nuk ka ujë, drita, rrugë, po vdesin për bukë”.
“Janë totalisht të painteresuar të dinë si prodhon, lodhesh dhe e nxjerr ti në fund produktin tënd. Me sa shumë sakrifica e risk, si e çon edhe jashtë. Mjafton një rast të ndodhi që kthehen produktet dhe bëhet nami”, iu drejtua Rama një fermeri.
Rama pranoi se “qarku i Beratit sot ka plot probleme pa diskutim, por nuk njihet nga pikëpamja se sa pika grumbullimi kishte kur ne kemi filluar punën”.
“Ku imagjinoheshin dot këto. Patjetër që i ka bërë puna e njerëzve, por njerëzit këtu ishin edhe më parë, por nuk kishte sinergji, mbështetje. Asnjë gjë fare, zero”, tha Rama.
Ndërsa theksoi se e njeh ndryshimin që ka ndodhru në këtë qark dhe gjithë Shqipërinë shumë mirë, Rama tha se për dy gjëra mban rekorde.
“Dy rekorde kam unë. Një rekord botëror jam piktori më i mirë mes kryeministrave të gjithë botës dhe jam kryeministri më i mirë mes gjithë piktorëve të botës. Ky është Guines, nuk ma merr njeri rekordin. Ndërsa rekordi kombëtar që kam është që të gjithë kryeministrat nga 1912 deri tani t’i bashkojnë të tërë kilometrat që kanë bërë në Shqipëri janë nuk e di sa xhiro mbrapa meje”, tha Rama.
Fraksion.com