AktualitetKosovaTë fundit

“Gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit”, Murati: Ja pse opozita po bllokon konstituimin e Kuvendit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se deputetët nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë nuk janë të interesuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Janë totalisht të painteresuar që të zhbllokojnë procesin, përkundrazi edhe bllokojnë, edhe nuk duan të hapin rrugë që të tjerët të zhbllokojnë. Me votën e tyre kundër (Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit), ata po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Murati pas ndërprerjes se seancës.

Murati tha se e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Haxhiu, e cila nga partitë e tjera po cilësohet si figurë jounifikuese, është kandidatja më e votuar në legjislaturën aktuale.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Albulena Haxhiu i përmbush kushtet për të qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke i hedhur poshtë kundërshtimet e partive të tjera parlamentare.

Ajo tha se lehtësia me të cilën po kërkohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje “është tërësisht e papranueshme”.

“Për të gjithë ata që e kritikojnë Albulena Haxhiun, ju them se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me 125 mijë vota. Pesha politike dhe legjitimiteti i zonjës Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme”, tha ajo./REL

 

Fraksion.com