AktualitetTë fundit

Bllokohen dy gomone në Sarandë, qarkullonin pa certifikatën e operatorit turistik

Policia kufitare e portit të Sarandës bllokoi sot dy gomone si dhe u vendosi gjobë, pasi qarkullonin pa certifikatën e operatorit turistik.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë bëri të ditur në një njoftim për shtyp se “pas një postimi të publikuar në rrjetet sociale ku janë fotografuar dy mjete lundruese, me persona në bord, pranë bregut në zonën “Tre Ishujt”, Ksamil, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Port Sarandë janë nisur në drejtim të vendit të raportuar”.

Gjatë kontrollit në terren, u bë e mundur konstatimi dhe verifikimi i dy mjeteve lundruese që ndodheshin në atë zonë, e cila rezulton pa kufizime të përcaktuara.

Nga verifikimet rezultoi se dy mjetet lundruese, njëra gomone në pronësi të shtetasit E. M., dhe tjetra motoskaf plastik në pronësi të shtetasit R. L., qarkullonin pa certifikatën e operatorit turistik.

Për të dyja mjetet u mor masë administrative në vlerën 100 000 lekë secili, pasi pronarët e tyre nuk dispononin dokumentacionin përkatës për të ushtruar aktivitetin si operator turistik në det. Gjithashtu, u bë bllokimi administrativ i mjeteve në SPK Port Sarandë.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë siguron qytetarët dhe turistët se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin e vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimit të kuadrit ligjor në fushën e turizmit detar.

Fraksion.com