Berisha: Pensionistët marrin më pak seç paguan gjermani për një qen apo mace shtëpie
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar kandidatët e forcës së tij politike në qarkun e Fierit.
Teksa po fliste për programin e “Aleancës Shqipëria Madhështore”, Berisha u shpreh se ky program është i bazuar tek dinjiteti njerëzor, për të plotësuar kështu kushte të rëndësishme siç janë minimumi jetik, paga, e për të hequr siç thotë ai skamjen nga vendi.
Kryedemokrati bëri një krahasim të pensionistëve në vend, me pagesën që një shtetas gjerman bën për kafshën e tij shtepiake, teksa shprehet se të moshuarit në Shqipëri marrin më pak.
“Projekti ynë nis jetën e tij me mbrojtjen e vlerave themelore të individit, të familjes, të shoqërisë. Ne besojmë se dinjiteti i njeriut, se dinjiteti njerëzor është vlera e të gjitha vlerave, për të cilën jemi të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë, të paguajmë çdo çmim në mënyrë që çdo shqiptar të trajtohet me dinjitet, me dinjitet, me dinjitet. Këto 12 vite, ata që e etiketuan veten si rilindas, ata zhytën në mjerim, në skamje të skajshme, ata detyruan të qajnë me lot të ftohtë mjerimi qindra e mijëra burra dhe gra, të moshuar, që sot paguhen me një pension më të pakët se sa paguan gjermani një qen shtëpie apo një mace shtëpie. Jo, kurrë më kjo nuk pranohet.
Ndaj dhe ne shpallim solemnisht se në Shqipëri në 100 ditët e para do ketë zero varfëri ekstreme. Mjerimin do e përjashtojmë nga Shqipëria.
Miqtë e mi, nuk ka dhe nuk do ketë pensionist me cilindo lloj pensioni, të pjesshëm, të plotë, etj, që do marrë më pak se 200 euro në muaj. Nuk ka dhe nuk do ketë të papunë, me ndihmë ekonomike, studentë me bursë, jetimë në familje që do marrë më pak se 200 euro. Nuk do ketë më shqiptar që do numërojë kafshatën”, tha Berisha.
Përveç pensionit, Berisha u ndal dhe tek shëndetësia, duke u shprehur se shqiptarët do mund të marrin barna në vend me cilësi si ato të Italisë, e nuk do ketë nevojë më të presë nga të afërmit që ndodhen në emigrim për tu trajtuar me ilaçin e nevojshëm.
“Nuk do ketë më shqiptar që nuk do mund të blejë ilaçet e tyre. Lista e republikës italiane për ilaçet e rimbursueshme do jetë lista juaj, lista e Shqipërisë. E thashë dhe e them se ne do e fillojmë nga dinjiteti njerëzor. Por nuk e lëndon asgjë më shumë dinjitetin se sa skamja që të detyron të numërosh kafshatën. Nuk e lëndon asgjë më shumë shpirtin e njeriut dhe dinjitetin se sa sofra që nuk të lejon të ushqesh fëmijët e tu. Ndaj dhe kjo merr fund. Dhe jo vetëm kaq. Rrogat minimale do të jenë brenda 3 muajve 500 euro. Asnjë rrogë më pak. Ushqimet rrogëulëtit, pensionistët, do t’i marrin 20% më lirë se të tjerët. E gjithë TVSH-ja e blerjeve të tyre do u rikthehet dhe në një vit arrin 450 euro, arrin rreth dy-tre pensione, arrin rreth një rrogë minimale. Pra miq, me këtë projekt ne u krijojmë një mundësi atyre që shkrinë jetën e tyre në ndërtimin e kësaj Shqipërie e kemi sot, të jetojnë me dinjitet. Të mos presin ilaçet e tyre nga njerëzit e tyre jashtë, por t’i marrin këtu pa lekë, dhe t’i marrin të njëjtën cilësi”, tha Berisha.
Fraksion.com