Berisha nga Fieri: Paralajmëroj investitorët strategjikë, çdo pronë e grabitur do konfiskohet, qytetarët do marrin hakun
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Fier, lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj investitorëve strategjikë që, sipas tij, po përfitojnë tokat e qytetarëve përmes korrupsionit të qeverisë.
“Paralajmëroj të ashtuquajturit investitorë strategjikë: mos prekni asnjë metër katror të pronës së qytetarëve shqiptarë. Çdo pronë e grabitur do konfiskohet dhe kush ka firmosur, do ndëshkohet,” deklaroi Berisha.
Ai solli si shembull situatën në Përmet, ku tha se dhjetëra hektarë pranë llixhave po u grabiten banorëve: “Na e ka dhënë Edi Rama, thonë ata. Edi Rama bashkë me ta do të shkojë atje ku duhet. Prona e tjetrit nuk preket.”
Berisha u zotua për një revolucion ekonomik, me mbështetje të fortë për biznesin, ulje të taksave dhe çmimeve:
-Çmimi i energjisë për biznesin do ulet nga 18 lekë në 6 lekë
-Taksa vendore jo më shumë se 1% e xhiros
“Në Fier dhe gjithë Shqipërinë, pasuritë nuk do jenë më për oligarkët, por për banorët. Shqipëria do të jetë vendi i ëndrrave për të rinjtë tanë – me shkollim, punësim, strehim dhe mbështetje për biznesin e tyre,” theksoi ai.
Në përmbyllje, Berisha e cilësoi 11 majin si “ditën e kthesës për pronën, punën dhe dinjitetin e çdo qytetari”.
Fraksion.com