Uncategorized

Vodhën dosjet e 3 prokurorëve të SPAK, Apeli i GJKKO jep vendimin për Zambak Gjonin e Arnold Rrokajn

Apeli i Posaçëm lë në fuqi vendimin e GJKKO, duke lënë në qeli Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokaj, të arrestuar për sulmin kibernetik ndaj SPAK. Sulmi ndaj emaileve të tre prokurorëve të Posaçëm ndodhi më 12 mars.

Sipas SPAK, hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT- që sipas tyre mbetet i pacënuar- por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore. Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses falë masave të sigurisë.

SPAK sqaroi se arrestimi i tyre është bërë brenda 24 orësh nga ndërhyrja për hakerimin e emialieve të prokurorëve, edhe pse për vendosjen e tyre nuk ka pasur asnjë informacion për mediat. Prokuroria e Posaçme sqaroi se pas arrestimit të tyre kanë mundur edhe të sekuestrojnë pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.

Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, dhe dy zyrtare e ish zyrtare. SPAK tha se prokurori i çështjes Bledar Maksuti i ka urdhëruar të gjithë ata që kanë rënë në kontakt me dokumentet që të mos i publikojnë, ndërsa janë marrë persona të tjerë në pyetje.

Njoftimi: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 22.04.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 28 akti, datë 14.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim Z.Gj., dhe A.Rr., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e Vendimit/Urdhrit nr. 32, datë 14.03.2025 të Gjykatësit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

HAKERUESI

Arnold Rrokaj është 33- vjeçari që pretendohet se ka pranuar se ka ndërhyrë në postën elektronike të tre prokurorëve. Vlonjati që ka qenë i punësuar në IMT mësohet të ketë thënë se “e bëra nga kurioziteti”, duke lënë të kuptohet se, në fakt, ka përvetësuar materiale nga adresat elektronike të prokurorëve. Mirëpo hetimi i çështjes tashmë është fokusuar tek fakti se Rrokaj, i cili dyshohet se ia ka dhënë të dhënat e përftuara Zambak Gjonajt dhe ky i fundit i ka shpërndarë në persona të tretë, ka funksionuar si grup kriminal bashkë me Gjonajn dhe personat e tjerë.

Sipas të dhënave hetimore është e qartë se i dyshuari, me detyrë të mëparshme punonjës pranë IMT, ia ka kaluar më tej të dhënat Zambak Gjonit, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i burgjeve. Por grupi i hetimit është i bindur që i riu nuk ka thënë të vërtetën. Sulmi, siç njoftoi zyrtarisht SPAK, u sinjalizua në datën 12 mars 2025, por në harkun e 48 orëve janë identifikuar dy bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve u vendos arrest në burg. Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, njëherazi urdhëroi ‘ndalimin e publikimit të dosjes’, përderisa hetimet po vazhdojnë ende për të zbardhur të gjithë skenarin.

Çështja po hetohet për grup kriminal. SPAK ka njoftuar zyrtarisht se pas një hetimi administrativ është konstatuar se hakeruesit nuk kanë arritur të hyjnë në sistem. Ndërsa vijojnë analizat e brendshme hetimore për të konkluduar se çfarë përmbante posta elektronike e tre prokurorëve, të cilët dyshohet se kishin fjalëkalime të lehta të email-ve për sa kohë janë thyer nga të interesuarit. SPAK nuk bën me dije se çfarë materialesh janë marrë në këto adresa dhe se kush janë palët e treta që kanë pasur interes për materialet hakeruese.

 

Fraksion.com