“Siguria ushqimore”, Berisha: Nuk do pranojmë në Shqipëri asnjë produkt që s’tregtohet në së paku 2 vende të BE-së
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë Konferencës për Sigurinë Kombëtare, deklaroi se në Shqipëri nuk duhet të lejohet asnjë produkt që nuk tregtohet të paktën në dy vende të Bashkimit Europian. Sipas tij, kjo është një masë e domosdoshme për të garantuar standarde të larta dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Berisha u shpreh se është i angazhuar për një treg të liberalizuar dhe të ndershëm, duke theksuar se kontrolli rigoroz i produkteve është jetik. Ai kritikoi situatën aktuale në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se pajisjet mjekësore në spitale publike nuk riparohen qëllimisht, për t’i detyruar qytetarët të drejtohen drejt sektorit privat.
Në vijim, ai premtoi ngritjen e laboratorëve modernë shtetërorë dhe krijimin e pikave funksionale të kontrollit të produkteve ushqimore dhe farmaceutike, të cilat sot, sipas tij, ekzistojnë vetëm në letër. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me agjenci ndërkombëtare prestigjioze për të rritur besueshmërinë dhe cilësinë e sistemeve të kontrollit.
Në fund të fjalës së tij, Berisha kritikoi edhe qasjen aktuale ndaj turizmit dhe korrupsionit, duke premtuar një luftë me “zero tolerancë” ndaj korrupsionit dhe një strategji për ta bërë etiketën “Made in Albania” një simbol krenarie kombëtare dhe cilësie të garantuar.
Kreu i PD Sali Berisha në Konferencën për Sigurinë Kombëtare: Nuk duhet pranuar në Shqipëri asnjë produkt që s’tregtohet në së paku 2 vende të BE-së. Ne jemi për liberalizimin e tregut. Edhe mjekësia është batërdi. Nuk rregullohen pajisjet tek shteti, sepse duan që qytetarët të shkojnë tek privati. Shteti do ketë laboratorë modernë. Do ketë pika të përshtatshme të kontrollit të produkteve, që sot ekzistojnë formalisht ose nuk ekzistojnë. Binjakizimi me agjenci prestigjoze është shumë i rëndësishëm. Siguria duhet për importet, por edhe eksportet. Këta dhe me turizmin dështuan në mënyrë spektakolare. Do bëjmë luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Made in Albania do jetë krenaria jonë kombëtare.
Fraksion.com