Rama: Sondazhisti i Trump e di që PS është fituese
Kryeministri, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama iu përgjigj sot pyetjeve të adresuara në platformat sociale në rubrikën “Sy m’sy” nga Gjirokastra, ku bashkë me skuadrën e këtij qyteti sot do të zhvillojë një seri takimesh elektorale.
Kryeministri në nisje të fjalës së tij, u ndal te një sondazh i prezantuar mbrëmjen e djeshme në një nga televizionet shqiptare, nga “sondazhisti i Donald Trump”, siç u shpreh Rama, që sipas tij ka bërë fushatën e zgjedhjeve në Amerikë, pasi ishte kundër rrymës, ndërkohë që shumica dërrmuese e sondazheve jepnin kandidaten Kamala Harris fituese.
“Ky këmbëngulte në të kundërtën edhe pse aty marzhet ishin shumë të ngushta dhe në fund i dolën ato parashikimet e tij dhe isha kurioz se thashë hajde ta shohim se si e sheh ky Shqipërinë”, e nisi Rama komentin.
“Aty kishte inserte që ishin pjesëza të emisionit, ishte një trishtim i madh se çfarë sheh e çfarë dëgjon populli shqiptar mbrëmjeve në pasqyrat e kënetës mediatike. Një tmerr”, tha Rama, teksa theksoi se PS kryen çdo muaj prej vitit 2007 sondazhe dhe anketime për të lexuar opinion publik për prirjen e votës.
Sipas Ramës, në një pasqyrë të këtij sondazhi rezultonte se 50% e shqiptarëve mendonin se vendi po shkon në drejtimin e duhur, 42% të tjerë ishin kundër dhe pjesa tjetër nuk kishin mendim. “Çfarë më kanë dëgjuar veshët nga ca individë që nuk e di çfarë i motivon kur zgjohen në mëngjes, me se e ushqejnë trurin gjatë ditës deri sa shkojnë ulen atje dhe fillojnë dhe bëjnë ndërmjetësimin mes realitetit politik, social, personazheve politike, sociale dhe popullit. Dhe aty konkluzionet ishin njëri më çmendurak se tjetri, njëri më i pabesueshëm se tjetri. Një ishte që populli është i sëmurë, shqiptarët janë një popull i sëmurë që mendojnë që ky vend po shkon në drejtimin e duhur, një tjetër ishte që këtu ka një autokraci me pasqyra moçalesh mediatike që çdo natë flasin nga këto lloj çmendurish”, pohoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se nëse në këtë vend do të kishte autokraci, atyre nuk do u binte radha të dilnin në ekrane televizive dhe të thoshin që populli është i sëmurë, apo të kishin kompjuter për të parë lajme. “Një konkluzion tjetër ishte që Rama i ka blerë gjysmën e popullit që mendon se vendi po shkon në drejtimin e duhur, një tjetër ishte që Rama u ka futur frikën dhe këta nga frika kur i pyet dhe këta që flasin ishin 1200 veta thonë nga frika që vendi po shkon në drejtimin e duhur”, vijoi ai.
“Si mund të ketë arritur deri këtu pazari mediatik shqiptar, çfarë të them çfarë më dëgjonin veshët. Ky nuk është politikan, ky është personazh dhe ky bën show dhe populli është kështu budalla. Këta që mua më hidhen në fyt, pse unë them gjysma e burrave janë çyrykë, në sensin metaforik patjetër, nuk flas për kusht klinik. Sepse unë mendoj që të shkosh mbas kënetës je gjysmak dhe gjysma tjetër janë në rregull. Kjo është një ndarje që unë e bëj sepse e besoj, me kënetën Shqipëria të ketë të ardhme, qeverisje më të mirë etj”, pohoi Rama.
Kreu i qeverisë cilësoi faktin se “këta janë në gjendje që mbasi më hidhen mua për metaforën time të thonë që populli është i sëmurë, një popull kot, sepse ky popull mendon që vendi po shkon në drejtimin e duhur”.
Rama tha se edhe sondazhisti i Donald Trump e dinte qartësisht që në 11 maj ka vetëm një fitues.
Fraksion.com