Gërdeci, Mediu në GJKKO: Trajtimi i municioneve ishte kompetencë e Forcave të Armatosura, jo e imja
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillohet seanca e radhës për dosjen e “tragjedisë së Gërdecit”, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai ka kundërshtuar analizën e ekspertëve të akt-ekspertimit tekniko-ushtarak, duke hedhur poshtë çdo përgjegjësi direkte të Ministrisë së Mbrojtjes për tragjedinë.
Gjatë seancës, Mediu theksoi se trajtimi i municioneve ishte një kompetencë ekskluzive e Forcave të Armatosura dhe jo e ministrit. “Për çdo vendim të qeverisë ka pasur një urdhër ministri dhe pas çdo urdhri të ministrit një urdhër tjetër ose udhëzim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, kështu funksionon në Ministrinë e Mbrojtjes,” u shpreh ai.
“FA e ka pasur detyrë mbikëqyrjen. Zyrtarë të lartë të FA, sipas dëshmive, e kanë vizituar Gërdecin. Ata nuk kanë zbatuar detyrimet që ka urdhëruar VKM-ja,” deklaroi ish-ministri, duke nënvizuar se mungesa e përmbushjes së detyrimeve nga FA ishte thelbësore në këtë proces.
Fraksion.com