AktualitetPolitikëTë fundit

Sali Berisha në Kukës: Do t’i shndërrojmë në të mira potencialet e kësaj zone, në treva të begata

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në mbrëmje në Kukës, ku pas prezantimit të kandidatëve të koalicionit opozitar, përmendi edhe disa nga pikat kryesore të programit.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, përshëndetjet më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush për këtë pritje fantastike.

Për këtë mesazh madhështor që përcillni sonte në mbarë Shqipërinë, në çdo votër, në çdo zemër shqiptare, mesazhin e shpresës, mesazhin e fitores së shkëlqyer të datës 11 maj

Unë vij të paraqes këtu tek ju projektin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, aleancës më të fuqishme që vendi ka njohur gjer sot, që grumbullon 25 parti politikë.

 

 

Aleancë, e cila me projektin e saj ka vendosur t’i japë përgjigjen flakë për flakë, më të vendosur, më të sigurt, problemeve madhore me të cilat përballen sot qytetarët shqiptarë.

Është e vështirë që në kohëra të zymta të flasësh për madhështi, por është fatale të harrosh madhështinë mbi të cilën je ngritur.

Kukësi, Hasi, Tropoja, por edhe mbarë Shqipëria, kanë në historinë e tyre, kanë në trashëgiminë e tyre akte ndër më madhështoret.

Kanë në trashëgiminë e tyre pasuri ndër më përralloret.

Kanë realisht potenciale nga më të jashtëzakonshmet për të cilat nuk mund t’i kenë lakmi askujt.

Pra ky projekt i Shqipërisë Madhështore bazohet në një trashëgimi madhështore që kemi ne.

Bazohet në një pasuri të jashtëzakonshme që kemi, në potencialet e mëdha, të cilat ne nuk kërkojmë gjë tjetër veçse t’i shndërrojmë në të mira për qytetarët e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe Shqipërisë.

Miqtë e mi, këtë projekt ne e nisim me shtetin patriotik, me shtetin patriot.

Shteti patriot është shteti i burrave dhe grave që e duan dheun e tyre, e duan vendin e tyre.

Burrave dhe grave që besojnë se dashuria për vendin, për dheun e tyre, për Hasin, Kukësin dhe Tropojën, është Leva e Arkimedit për të shumëfishuar energjitë e tyre.

Për të shumëfishuar besimin, për të bërë të mundur, të pamundurën.

Për të shndërruar këto treva të bekuara në treva të begata për banorët e saj.

Miqtë e mi, askush më shtrenjtë se ju nuk e ka paguar dashurinë për vendin, për Kukësin, për Hasin, për Tropojën, për Shqipërinë.

Por faktikisht atij çmimi i detyrojmë sot ne ekzistencën si komb krenar, komb shqiptar.

Nuk do shkoj të ndalem në histori të shkuara, jo. Por do ndalem vetëm në pranverën e vitit 1999, kur ju burrat dhe gratë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës, votrat tuaja u bënë të famshme në gjithë botën për bujarinë. U bënë të famshme në të gjithë botën dhe bënë të dështojë në rrugët, rrugicat e këtij qyteti, e këtyre fshatrave, të këtij qarku, projektet ogurzeza të Slobodan Millosheviçit, i cili mendoi se duke përzënë qindra mijëra shqiptarë, do i çonte ata drejt katastrofës. Në të vërtetë ata i çoi drejt votrave tuaja fisnike dhe i pritët si vëllezër në një akt sublim bashkimi kombëtar.

Edi Rama përzuri nga Tirana dy javë më parë përfaqësuesin e qeverisë së Kosovës, sepse i vuri nofkën e armikut, në një kohë kur SHBA e etiketoi atë rezolutë si një letër e vdekur e pa kuptim.

E vdekur për SHBA, por jo për Vuçiçin dhe argatin e tij në Tiranë, i cili në një akt antikombëtar detyroi delegacionin e Kosovës të largohej nga Tirana.

Miqtë e mi, jam këtu në emër të tuaj për t’u përcjellë një mesazh vëllazëror të gjithë emigrantëve, të gjithë bijave dhe bijve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës në emigracion, asnjë votë për këtë armik të kombit.

Unë e di se ka punonjës administrate që u luten, u stërluten, fotografoni votën, ma dërgo se ma kërkon shefi. Asnjë fotografi mos bëni, qëndroni njerëz të lirë, votoni për Kukësin, për Hasin, për Tropojën. Votoni për vlerat që përjetoni në vendet tuaja. Mos votoni Pashiqin e shqiptarëve. Se ata që u kërkojnë ju votën për të mbrojtur vendin e punës, ata kryejnë një gabim të madh shumë. Ju mos u bëni bashkëfajtorë me ta. Ju votoni të lirë. Votoni për Kukësin, Hasin, Tropojën, Shqipërinë.

Votoni për kombin dhe jo armikun e kombit.

Miqtë e mi, ky program është programi që bazohet tek djepi, aty ku kemi lindur, jemi rritur, jemi edukuar, tek familja shqiptare, familja kuksiane, hasjane, tropojane, që është shenjtëri në vetvete. Që mëkon tek fëmija dashurinë për vendin, respektin për prindin, respektin për njeriun. Ne do bëjmë gjithçka që këtë familje ta forcojmë, ta mbështesim, ta ndihmojmë.

Do bëjmë gjithçka që autoriteti i saj të bëhet gjithnjë e më i madh, fuqia e saj edukuese të jetë edhe më e madhe. Do bëjmë gjithçka që nëna shqiptare, vigane, të ketë mbështetjen më të fuqishme në mënyrë të të rrisë fëmijët e saj pa mundime. Do subvencionojmë çdo fëmijë, të parin me 70 euro, të dytin me 60 euro, të tretin nga lindja gjer 23 vjeç 100 përqind nga shteti. Do bëjmë gjithçka për t’i mbështetur nënat dhe motrat tona në biznese, për t’i mbështetur në suksesin e biznesit, fermës apo veprimtarisë së tyre.

Ne si komb të gjithë madhështinë në radhë të parë e kemi tek nënat, ndaj dhe ata që kërkonin zhdukjen tonë, kërkonin të zhduknin nënën shqiptare. Edi Rama, gabon rëndë. Si një përçarës, si një njeri pa vlera, si ai i zënë në faj dhe që është i pashpresë, sillet nga një takim në tjetër me një fjalor të padenjë, një burrec dy metra i gjatë. Njëherë thotë se burrat janë kështu e ashtu, duke harruar se burrat janë baballarët e fëmijëve të atyre zonjave, janë shoku i jetës së tyre, janë bashkëjetesa, janë harmonia. Herën tjetër bërtet, ajo që është e ndarë, ajo na duhet më shumë ne. Turp i madh shumë!

Po si mund të flasësh ti se na duhet ajo dhe kjo? Çfarë janë ato dhe këto që t’u dashkan ty, i pafytyrë. Me një gjuhë të tillë flet… Herën e tretë nxjerr fëmijët përpara dhe në një propagandë absolutisht të dënueshme, 100 përqind të dënueshme, u thotë kontrolloni në Google videot e tij nudo. Mburret me to.

Të dashur miq, këto nuk janë rastësi. Jo, jo.

Këto janë botëkuptim i atyre të cilët vërshuan jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, kundër familjes dhe vlerave të saj. Është botëkuptimi i atyre të cilët thanë se ka ikur koha të quajmë nënën, nënë dhe babën, babë. Është botëkuptimi i atyre të cilët prunë në parlament ligjin për të krijuar fermat e grave dhe për të lindur fëmijët e askujt. Është botëkuptimi i njerëzve qëkanë humbur të gjitha normat morale të njerëzve normalë. Por, Edi Rama, këto nuk do kalojnë kurrë tek Shqipëria dhe shqiptarët. Ti me atë gjindjen tënde mund të bësh ç’të duash, nuk dua të them se çfarë meriton, por me familjen shqiptare mos luaj se nuk loz dot kurrë. Me fëmijët shqiptarë mos luaj.

Larg duart nga propaganda e turpshme që është e dënueshme në çdo vend të botës. Asnjë votë nuk do marrësh ti me këto që bën, përkundrazi, ndëshkim, ndëshkim, ndëshkim.


Fraksion.com