Rama nga Kamza: Gratë dhe vajzat forcë e pamohueshme, po drejtojnë negociatat me BE
Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një takim me gratë dhe vajzat e Kamzës, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në këtë takim, Kryeministri Rama shoqërohet nga Elisa Spiropali, bashkëdrejtuese politike e PS-së në Tiranë, po ashtu nga Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, si dhe nga kandidatet për deputete të PS që përfaqësojnë bashkinë e Kamzës. Gjithashtu në takim e pranishme është dhe Deputetja e PS, Lindita Nikolla.
Në fjalën e tij, Rama ka vënë në qendër të vëmendjes rolin e vajzave dhe grave, duke theksuar rëndësinë e tyre në shoqërinë shqiptare, por edhe në vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste.
“Unë bëj pjesë tek ata burra dhe besoj se janë gjysma e shqiptarëve, që e dinë shumë mirë se forca e grave dhe vajzave është jo vetëm e pamohueshme, por nëse nuk i ke në krah, je gjysmak, je ‘çyryk’, shumë thjesht. Historia e këtyre viteve e ka treguar se sa shumë kemi arritur, dhe jam i bindur se po të mos kishim bërë revolucionin gjinor brenda partisë, në këshillat bashkiakë, në listat e deputetëve, nuk do të kishim bërë kaq shumë”, tha Rama.
Ai shtoi se Shqipëria po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe në këtë proces janë të angazhuar mbi 1000 ekspertë nga pala shqiptare dhe shumica vajza dhe gra
“Negociatat përfshijnë fusha të ndryshme si ekonomia, drejtësia, mjedisi e shumë të tjera. Shumica e atyre që punojnë në këtë proces janë gra dhe vajza. Dy drejtueset kryesore të negociatave janë po ashtu gra: kryenegociatorja dhe zëvendëskryenegociatorja, njëra grua dhe tjetra vajzë.”, u shpreh Rama.
Fraksion.com