Berisha nga Kavaja: Dyfishim fondesh për komunitetet fetare dhe zgjidhje përfundimtare e çështjes së pronave
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte sot i pranishëm në Kishën Ortodokse të Kavajës, ku përveç urimit për festën e Pashkës, përcolli edhe mesazhe të forta.
Në fjalën e tij, lideri demokrat vlerësoi kontributin e komuniteteve fetare për ringjalljen shpirtërore të Shqipërisë, duke theksuar se “institucionet fetare janë një faktor i fuqishëm jo vetëm në ushqimin shpirtëror, por edhe në dhembshurinë njerëzore”.
Berisha u ndal në dy zotime konkrete:
Dyfishimi i fondit për komunitetet fetare – “Fondi buxhetor për komunitetet do të dyfishohet. Është i domosdoshëm për të mbështetur veprimtarinë e tyre”, tha ai, duke rikujtuar se ky fond është vendosur që më parë, por ka mbetur i pandryshuar.
Zgjidhje përfundimtare për çështjen e pronave – “Nëse qytetarët na japin besimin më 11 maj, brenda këtij mandati ne do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e pronave, me përparësi për institucionet fetare dhe më pas për të gjithë qytetarët shqiptarë. Shoqëria duhet të ndahet nga padrejtësitë e së shkuarës”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se pronat e komuniteteve fetare janë ndër më të goditurat nga padrejtësitë dhe plaçkitjet e dekadave të fundit, duke siguruar se “do të qëndrojmë 100% me vendosmërinë më të madhe për të bërë drejtësi”.
Në mbyllje, Berisha falënderoi udhëheqësit fetarë për rolin e tyre në mbrojtjen e harmonisë fetare shqiptare, duke e cilësuar atë si një “thesar të paçmuar që na dallon në Europë dhe më gjerë”.
Fraksion.com