AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Do të ngremë bankën zhvillimore, 80% të interesit do e paguajë shteti

Kryetar i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me fermerët në Elbasan.

Gjatë takimit, Berisha prezantoi dhe programin “PD-Shqipëria Madhështore”. Kryetari i PD-së tha se “do të ngremë bankën zhvillimore të shtetit, me të cilën ju do të merrni linja krediti të buta. 80% të interesit do e paguajë shteti për ju”.

Berisha u shpreh më tej se “qeveria do të krijojë fondin e veçantë për t’ju mbrojtur ju, nga fatkeqësitë natyrore dhe për t’u shpërblyer ju me çmimin bazë të produkteve që mund t’ju shkatërrojë moti dhe faktorë të tjerë. Por, qeveria do t’ju mbrojë ju edhe nga mbiprodhimi”.

“Mbiprodhimi ndodh, edhe në këtë rast absolutisht, çdo mbiprodhim do të shpërblehet me çmimin bazë, në mënyrë që ju dhe fermerët të mos kërcënoheni nga falimentimi”, shtoi Berisha.

Berisha nënvizoi se “qeveria merr përsipër investime shumë serioze në vaditje, në kullim dhe mbrojtjen e tokës”.

“Ne, jemi një vend plot ujëra. Nuk ka vend me ujëra më shumë se sa ne. Megjithatë, sipërfaqet e vaditjes, jo që nuk shtohen, por zvogëlohen. Hidrocentrali i Banjës, para së gjithash, është vepër vaditës. Dhe kur ne e ndërtuam atë, e ndërtuam së pari si vepër vaditës, dhe pastaj si vepër energjetike”, tha Berisha.

Berisha tha se “do të investojmë, të paktën 70 milionë euro në vit në vaditje, kullim dhe në mbrojtje të tokës”.

“Jam këtu, për t’u zotuar përpara jush dhe mbarë fermerëve të Shqipërisë, se prodhimet tuaja me sezon do t’i mbrojmë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “mbrojtja sezonale e prodhimeve është zotimi ynë. E kemi bërë. Ata që mund ta kujtojnë, e kemi bërë dhe do ta bëjmë prap. E bën çdo vend”.

“Ne jemi për tregti të lirë, por në sezon do konsumojmë njëherë tonat, do i shesim tonat, pastaj do të presim për të tjerat. Këtë do e bëjmë, dhe kjo është një garanci për shitjen e prodhimeve tuaja që janë të mrekullueshme”, tha Berisha.

Fraksion.com