AktualitetPolitikëTë fundit

Takimi në Kombinat/ Berisha: Pagat dhe pensionet nuk u rritën, kurse çmimet janë më shumë se dyfishuar gjatë këtyre 12 viteve

Kryetari i PD, Sali Berisha zhvilloi këtë pasdite një takim me banorët e Kombinatit, në Tiranë. Berisha tha se në 12 vitet e qeverisjes së Ramës nuk u rritën pagat dhe as pensionet.

Ndërsa çmimet, shtoi Berisha, janë më shumë se dyfishuar gjatë këtyre 12 viteve.

Sali Berisha: Vij këtu me bindjen më të thellë se ia kemi dalë të hartojmë projektin më të mirë që kemi paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve. Ia kemi dalë të hartojmë një projekt të tillë së pari sepse kemi ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, dy fondacione kryesore në botë të qendrës së djathtë, fondacioni Adenauer i Gjermanisë dhe fondacioni Heritage i SHBA kanë shqyrtuar dhe vlerësuar programin tonë. Kanë bërë sugjerimet e tyre. Por nga ana tjetër ky program në mënyrë të padiskutueshme ka eksperiencën, ka trashëgimi eksperiencën me të cilën ne, siç jeni dëshmitarë, bëmë një ndryshim të madh në qëndrimin e shtetit ndaj qytetarëve.

Dhe ky ndryshim u shpreh para së gjithash në dhënien, në rikthimin e parave të taksave qytetarëve shqiptarë. Ky është një parim themelor për ata që qeverisin.

Miq, shteti është si familja. Ai që drejton familjen, ai ka një detyrim që të ardhurat e familjes t’i shpërndajë në mënyrë të drejtë për anëtarët e saj dhe në mënyrë transparente të tregojë se çfarë do bëjë me të tjerët. Kështu është edhe qeveria, ka detyrë që ato që mbledh nga qytetarët, taksat, t’ua rikthejë së pari qytetarëve dhe të tjerat t’i përcaktojë për shërbime ndaj tyre, për shëndetësinë, për arsimin, për rrugët, për shkollat, për veprat publike. Çfarë ndodhi në Shqipëri? Në Shqipëri ndodhi një zhvillim që tejkalon çdo imagjinatë.

Kjo ishte Shqipëria e vitit 2013.

Nuk ndalem aspak as për t’u krenuar, as për t’u lëvduar, por për t’u thënë çdo shqiptari se ka një parim për çdo qeveri, dhe ky parim është, t’ua kthejë shqiptarëve paratë që u merr.

Ku jemi sot? Në vitin 2025.

Para 12 vitesh, çdo pensionist në Shqipëri merrte pension më të madh se pensionisti në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni e me radhë. Rroga e ulët në Shqipëri ishte më e lartë se në secilin prej këtyre vendeve, përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot në qoftë se pensionisti në Shqipëri merr si pension mesatar 170 euro, pensionisti në Mal të Zi merr 450 euro. Merrte 138 euro. Po pse? Sepse qeveria çdo vit është e detyruar t’u kthejë paratë qytetarëve.

Rroga minimale në Rumani ishte 167 euro. Ishte 180 lej. Sot rroga minimale në Rumani është rreth 800 euro. Pse? Sepse qeveria u kthente paratë qytetarëve. Çfarë ndodhi me ne? Qeveria nuk ua ktheu paratë qytetarëve. Jo vetëm kaq, se kjo është gjysma e të keqes. Gjysma tjetër më e rëndë e të keqes është se këtu çmimet nga viti në vit u rritën. Se këtu buka sot kushton mbidyfishin e asaj që kushtonte në vitin 2013.

Kushtonte 400-500 lekë, kushton 900-1000 lekë. Se mishi sot kushton 1600-1800 lekë, kushtonte 700 lekë. Se domatet kushtonin 100 lekë, kushtojnë 400 lekë. Pra, për të blerë ti qytetar i dashur sot aq sa blije në vitin 2013, të duhen dy herë e më shumë. Dhe rrogat nuk u rritën, pensionet nuk u rritën. Për të përballuar këtë rritje, sot çdo pensionist duhej të kishte pensionin 390 euro. Në qoftë se qeveria thotë do u indeksojmë. Në qoftë se qeveria do ishte e ndershme t’u indeksonte, pensioni juaj do të ishte 390 euro. Prandaj qeveria e Malit të Zi që i indeksoi, e ka pensionin 450 euro.

 

Fraksion.com