AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në 11 maj zgjedhja është mes interesit të një populli të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë e vajzat e qarkut Korçë.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se “në 11 maj zgjedhja është mes interesit të një populli dhe kombi të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm. Është mes të mirës së përbashkët të një populli të tërë dhe interesit të një familjeje të vetme, midis Shqipërisë me BE-në në Evropë apo me kënetën dhe me bufin e kënetës prapë në gropë. Se kjo ka ndodhur për hir të së vërtetës”.

“Kjo zgjedhje është shumë e qartë sepse sot për herë të parë qysh nga rënia e komunizmit BE nuk mjaftohet duke thënë një ditë ju do të jeni pjesë e jona por ka hapur derën duke thënë të mbyllim negociatat deri në 2027-ën që ju të vini dhe të bëheni pjesë e jona. Për herë të parë kemi një afat të vendosur bashkërisht”, tha Rama.

“Asnjë vend, – theksoi Rama, – që ka dalë nga komunizmi nuk ka mbaruar negociatat me shpejtësinë që kemi ne shansin t’i mbarojmë vetëm 3 vjet dhe ky shans, ky fat na ka ardhur ne sepse BE-ja do të zgjerohet dhe ata që ka më afër pragut të derës janë Shqipëria me Malin e Zi.”

Kjo do të thotë, shtoi Rama, “që Zoti i shqiptarëve ka dashur që në këtë moment kur ne jemi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur të bashkojë fatin evropian të shqiptarëve me fatin e Evropës në një”.

Por ama, nënvizoi Rama, “edhe Zoti thotë: Më ndihmo, të të ndihmoj. Po s’bëre ti detyrën s’ka ҫfarë të bën as Zoti. Dhe detyra që duhet të bëjnë shqiptarët është që t’i japin një shtysë shumë të fortë negociatave, sepse të mbarosh ato negociata në 3 vjet është një ҫmenduri, duhet punuar ҫdo ditë, ҫdo ditë”.

 

Fraksion.com