AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Dibra, Mati dhe Bulqiza do të kenë infrastrukturën më moderne, Skavica nuk do ndërtohet kurrë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi sot se Dibra, Mati dhe Bulqiza do të kenë infrastrukturën më moderne, ndërsa Skavica nuk do të ndërtohet kurrë.

Në një takim me banorët e Dibrës ku prezantoi kandidatët për zgjedhjet e 11 majit, Berisha u shpreh se “Shqipëria Madhështore është Shqipëria e prodhimit, ndaj dhe biznesit do t’ia ulim në mënyrë drastike barrën fiskale”.

“Vetëm me uljen në 10 për qind të tatim fitimit, rrogat e rrogëtarëve mbi rrogën e ulët rriten me 13 për qind, sepse kjo taksë është 23 për qind. TVSH do të zbresë në 15 për qind. Energjia për bizneset në 6 lekë, për qytetarët në 7 lekë”, tha ai.

Berisha i premtoi Dibrës kompletimin e plotë të infrastrukturës së saj në rrugë, ujësjellës dhe kanalizime.

“Lura është bukuri përrallore dhe ka 12 vjet nuk e ndërton dot rrugën. Por atë rrugë e meritoni plotësisht. Ajo është rruga e dytë e kombit dhe kemi krenari të madhe që ndërtuam 32 kilometrat e para dhe ju garantoj se në vitin 2016 do ishte inauguruar me parametra shumë më të mirë se kjo sot”, tha ai.

Sipas Berishës “Edi Rama nuk u tha qytetarëve se ku shkuan 130 milionë euro për djegësin e Tiranës që nuk ekziston asnjë tullë dhe paratë janë dhënë”.


Fraksion.com