Reagime pas krizës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendit të Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”. “Qytetarët meritojnë politikanë që e vënë Kosovën para politikave partiake. Prandaj e përsëris: Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, shkroi Rohde në rrjetin social Bluesky.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, tha se “Kosova ka nevojë urgjente për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve”. “Njerëzit kanë të drejtë të presin nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, shkroi ambasadori britanik në Prishtinë, Hargreaves, në profilin e tij social.
Kritikat e opozitës ndaj qeverisë
Partitë politike opozitare të deritashme thonë që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po e zvarrit qëllimshëm mbarëvajtjen e seancës konstituive me qëllim të pazareve politike. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, ndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve. Ky raport është një procedurë që duhet kaluar për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, që doli partia e dytë në zgjedhje, tha se Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje, “po e zvarrit qëllimshëm mbarëvajtjen e seancës konstituive”.”VV-ja po mundohet të blejë kohë për t’i bërë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve. Këta nuk kanë shumicë parlamentare, e meqenëse nuk kanë, po duan me ble kohë, me i bo pazaret”, tha Krasniqi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se “kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit”. “Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpreu seancën e sotme, edhe pse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin. Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.
Ndërkohë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se duan të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar në Kuvend pas mosmiratimit të raportit të mandateve. Ata i referohen deklaratës së Presidentes së Kosovës, e cila u ka kërkuar deputetëve që të gjejnë zgjidhje. “Ne duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit, por duhet të shohim se si është mënyra për ta korrigjuar atë vendim”, u shpreh Albulena Haxhiu nga Vetëvendosja. Ajo thekson, se Vetëvendosja ka vullnet që të propozojë mënyra se si duhet shkuar më tej. “Pra, a do të jetë një komision i ri apo komisioni paraprak të bëjë përgatitjen e raportit të ri, mund të ketë dhe propozime të tjera dhe të vazhdojë”, tha Haxhiu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dy ditë më parë u kërkoi deputetëve, duke cituar nene të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, që seanca konstituive duhet të vazhdojë jo më vonë se 48 orë nga ndërprerja e saj. “Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të veshur me autoritet publik”, tha presidentja Osmani, duke shprehur vullnetin e saj që të mirëpresë në zyrën e saj përfaqësuesit e partive politike, siç thotë, “për ta diskutuar rrugën përpara, në rast se një gjë e tillë konsiderohet e nevojshme”.
Ende ka paqartësi
Se si do të veprohet më tej ende nuk është qartësuar. Edhe në seancën e dytë konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhnin kryetarin dhe nënkryetarët, që zgjidhen me të paktën 61 vota nga 120 vende sa i ka Kuvendi i Kosovës. Pastaj, në një seancë të radhës pritej të zgjidhej edhe qeveria e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, që doli partia fituese e zgjedhjeve, duhet të sigurojë po ashtu të paktën 61 vota për ta marrë edhe një mandat të tretë në krye të ekzekutivit.
Aktualisht Lëvizja Vetëvendosje i ka të siguruara 48 vende në Kuvend. Kjo parti ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit, sikundër që zyrtarisht nuk ka bërë të ditur nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij dhe të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti. LVV-ja më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por ditët e fundit e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar vende në Kuvend, në mënyrë që të mund ta formojë edhe qeverinë. Tri partitë më të mëdha opozitare deri tani kanë deklaruar se nuk duan të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti./DW
Fraksion.com