Rama: Qendra e Kontrollit të Trafikut, të gjitha urgjencat dhe thirrjet të jenë të unifikuara
Qendra e re e Kontrollit të Trafikut përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit efikas të qarkullimit urban dhe sigurisë rrugore.
E pajisur me teknologjitë më të fundit të monitorimit, analizës dhe reagimit të menjëhershëm, kjo qendër garanton koordinimin e përpiktë të rrjeteve rrugore dhe ndihmon në reduktimin e vonesave dhe aksidenteve.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektuan sot këtë qendër të vendosur në Kamëz.
Kryeministri e cilësoi atë një risi të shumëpritur për sigurinë rrugore e jo vetëm, ku bashkërendohen një sërë projektesh dhe skuadrash, e ku gjithçka do të ndërlidhet me projektin e revolucionit digjital “Qytet i Mençur” (SmartCity), duke garantuar monitorimin e të gjitha rrugëve 24/7 dhe koordinimin e Policisë Rrugore, Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Emergjencave Civile.
“Sot merr rrugë një kapitull i ri në historinë e administrimit të territorit edhe në historinë e asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet, në nivelin e sigurisë rrugore, urgjencës mjekësore dhe emergjencave civile”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se është detyrim i madh që kjo reformë të shoqërohet me një reformë, ku të gjitha urgjencat dhe thirrjet të jenë të unifikuara.
“E gjithë kjo qendër moderne monitorimi që do të mbështetet nga “Smart City”, me rrjetin e kamerave inteligjente dhe inteligjencën artificiale do të bëjë të mundur që në kohë reale të merret informacion dhe më në fund të largohet dhe policia nga pritat në rrugë, por ama të jetë e gatshme në çdo moment që me sinjalizimin e inspektorit virtual të vihet në lëvizje”, tha Rama.
Zv/kryeministrja Balluku informoi se qendra do të funksionojë me 122 operatorë, ku në këtë fazë fillestare të monitorimit janë lidhur me kamera 200 km e para, të cilat mbulojnë autostradat kryesore Tiranë-Durrës, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, Fier-Vlorë.
Sipas saj, synimi final është mbulimi i 3650 km rrugë që janë aset i inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në këtë kuadër, ministria e Mbrojtjes, ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë nënshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit për administrimin e territorit dhe asistencës për qytetarët në të gjitha nivelet.
Fraksion.com