AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për herë të parë në listën e Tiranës: Kryeqyteti është rritur, i japim cilësi tjetër jetës së komuniteteve

Kryeministri Edi Rama njëherazi kryetar i PS-së, gjatë takimit elektoral për zgjedhjet e 11 majit, që zhvilloi me banorët e Njësisë 6, Kashar në Tiranë, shprehu angazhimin për t’i dhënë hov të ri zhvillimit të Tiranës.

Rama tha se, “rasti e solli të jem pjesë e skuadrës së deputetëve të Tiranës dhe nuk kam qenë asnjëherë deputet i Tiranës. Jam këtë herë dhe për shkak të kësaj detyre, është një mision i ri për mua. Për shkak të ndjekjes së fushatës kam shkuar në shumë pjesë të Tiranës që nuk i kam parë më parë dhe kam parë ndryshime të jashtëzakonshme”.

Tirana sot, theksoi ai, është një gjë krejt tjetër nga ajo që ka qenë, kur ne kemi qenë të rinj.

“Këtu ka disa që kanë qenë pjesë e kësaj përpjekje që atëherë, duke qenë se atëherë kur ne e nxorëm Tiranën nga një kënetë e jashtëzakonshme dhe filloi qyteti të zhvillohej, perceptimi im ka mbetur mbrapa për shumë pjesë të qytetit, që sot janë integruar, por që atëherë as ekzistonin, si p.sh Astiri që kishte shtëpi të vogla dhe në këtë transformim të madh, kam parë dhe shumë gjëra që duhet t’i adresojmë, se në këto kushte që është sot ky qytet ka potencial të madh për t’u bërë akoma shumë më i mirë për pjesëzat e veta”, u shpreh Rama.

Sipas tij, Tirana kishte një qendër dhe të gjithë vërtiteshin rreth asaj qendre, por sot kryeqyteti është zgjeruar dhe zhvilluar.

“Sot ajo qendër e vjetra është shumë larg sepse qyteti është më i madh dhe jeta është ndarë në shumë pjesë dhe qyteti ka edhe qendra të tjera dhe është momenti për t’i dhënë një hov asaj që ka nisur të formëzohet dhe për t’i dhënë një cilësi tjetër jetës së komuniteteve dhe këtu kam parasysh Kombinatin, Kasharin, Astirin, që kanë krijuar një bazë energjish plot jetë dhe që kanë nevojë, që nëse i adresojmë siç duhet, cilësia e jetës komunitare do të bëhet shumë më e mirë dhe ne do të angazhohemi për këtë”, deklaroi Rama.


Fraksion.com